Tregtia e armëve, administrata Obama lë pas atë Bush; 278 miliardë USD

09/11/2016 00:00

Administrata Obama ka aprovuar mbi 278 miliardë dollarë nga tregtia e armëve në 8 vjet, më shumë se dyfishi i totalit të regjistruar nga administrata e mëparshme.

Kështu tregojnë shifrat e publikuara nga Pentagoni. Sipas mediave amerikane, pjesa dërrmuese e shitjeve, 115 miliardë, ka shkuar për Arabinë Saudite për shkak të kërkesës së lartë për ndërhyrjen në Jemen dhe rolin e saj në luftërat në Siri e Irak.

Mes armëve të shitura, dhe jo domosdoshmërisht vetëm për Mbretërinë e Naftës, janë avionët luftarakë “F-15”, helikopterët “Apache”, ata “Blackhowk”, raketa, interceptorë raketash, autoblinda, etj.

Raporti “Defense One”, i publikuar këtë javë, tregon shitje prej 33.6 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2016. Mes këtyre, 2.9 miliardë kanë shkuar për financimin e ushtrive të huaja; 5 miliardë për ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta ushtarake dhe 25.7 miliardë për financimin e vendeve partnere.

Në vitin 2015, shitjet në kuadër të programit ushtarak qeveritar arritën në 35.3 miliardë. Bashkë me shitjet në kuadër të programeve të tjera prej 11.7 miliardë, totali ka arritur në 47 mld dollarë për vitin fiskal 2015.

Top Channel