Rama mbledh Zyrën Operacionale, raportojnë zyrtarë e ministra

09/11/2016 00:00

Kryeministri Rama ka mbledhur sërish pasditen e sotme Zyrën Operacionale, për t’u njohur me të dhënat e fundit lidhur me situatën e shkaktuar nga përmbytjet. Gjatë mbledhjes kanë raportuar drejtues të disa strukturave shtetërore, si dhe disa ministra përgjegjës.

Shemsi Premçi, drejtor i Emergjencave Civile: Problematike vazhdon të mbetet situata në Shkodër. Në Gjoricë të Dibrës ka patur rrezik për përmbytjen e 80 familjeve. Janë dëmtuar 2 ura që lidhin Burrelin me Rrëshenin. Në Tiranë situata është drejt përmirësimit, por ka patur rrëshqitje dherash në Babrru dhe Kamëz. Ndërkohë, vazhdon trajtimi i 200 familjeve.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës: Po monitorohet e gjithë rrjedha për të parë efektet e shkarkimeve. Sistemi i tensionit të lartë nuk ka asnjë shqetësim, ndërsa numri i abonentëve pa energji elektrike nuk është më shumë se 40 mijë.

Ardian Çela, drejtor i OSHEE: Një fidër është dëmtuar në Qafën e Kasharit nga një firmë private. Ndërkohë, të gjitha nënstacionet në zonën e Hasit janë futur në rrjedhën e plotë.

Top Channel