HEC-et nisin shkarkimet, stuhia la pa energji 100 mijë abonentë

09/11/2016 00:00

Në Vaun e Dejës nisën shkarkimet me 1.200 metër kub në sekondë. Kjo ka sjellë përmbytje në zonën fushore. E para që u godit ishte lagja periferike e Shkodrës, Ajasma, ku disa familje u evakuuan që dje.

Në Koman kuota është 171.06 m, ndërsa shkarkimet 1000 m3/sec. Në mbledhjen e fundit të Komitetit të Digave u vendos ulja e nivelit të shkarkimeve për të parandaluar përmbytjen e zonës së Shkodrës.

Shkarkime ka patur në Ulëzës dhe Shkopet me 1.200 dhe 1.500 metër kub ujë në sekondë. Ndërkaq, në sistemin e shpërndarjes, Kamza vazhdon të mbetet zona më kritike. 5 mijë familje atje janë pa energji.

“Është punuar deri në një të natës, kur janë mont 2 shtylla në një terren shumë të vështirë. Në krahun tjetër do të vendosen 2 të tjerat dhe do bëhet kalimi i kabllit me dron për të dy fidrat”, deklaroi kreu i OSHEE-së, Ardian Çela.

Në ndihmë të punonjësve të OSHEE-së janë edhe forcat e ushtrisë. “Zonat më të prekura janë Tirana, Durrësi, Berati, Vlora dhe Fieri. Janë më pak se 100 mijë abonentë, 10 mijë prej të cilëve në zonat urbane dhe të tjerët në ato rurale, ku janë linja tejet të vjetra dhe janë linja ajrore, që për shkak të erës apo reshjeve bien në kontakt dhe shkaktojnë defekte”, tha Çela.

Top Channel