Vjosa bëhet e rrezikshme, Panariti-banorëve: Largohuni

09/11/2016 00:00

Moti i keq me reshje të dendura shiu e ka zhvendosur alarmin e përmbytjeve në jug të vendit. Niveli i ujit në lumin Vjosë pasditen e së mërkurës shënonte 5 metra e gjysmë lartësi, pra 1 metër nën kufirin pas të cilit uji mund të dalë nga shtrati.

“Uji ka arritur në nivelin 6 dhe rreziku i përmbytjes nga lumi Vjosë është evident”, ka deklaruar kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi.

Një thirrje për t’u larguar nga brigjet e lumenjve, banorëve të fshatrave buzë Vjosës u vjen nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

“U bëj thirrje fermerëve dhe bizneseve që të largojnë fillimisht njerëzit dhe bagëtinë dhe pastaj mjetet e materialet që i kanë të magazinuara”, ka thënë Panariti.

Sipas Shtabit të Emergjencave Civile, zonat që mund të preken janë Memaliaj, ndërsa përmbytje të tokës bujqësore dhe banesave priten në fshatrat Frakull, Kafaraj dhe Çervenë në Fier. Edhe fshtrat Pishporo, Novoselë, Fitore dhe bashkia Selenicë në Vlorë janë në rrezik.

“Bindjuni të dhënave të Shërbimit Meteorologjik Shqiptar, thirrjes së Emergjencave Civile për të kufizuar lëvizjet, sidomos ato të fëmijëve”, ka thënë drejtori i përgjithshëm, Shemsi Premçi.

Deri më tani qarku më i prekur nga përmbytjet e tokave bujqësore është Shkodra, me rreth 900 hektarë. KESH ka nisur shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, 1.200 metra kub ujë në sekondë.

Edhe në Lezhë në rrezik është argjinatura e lumit Mat. Ndërkohë, situata e rrugëve në vend paraqitet e stabilizuar, superstrada Tiranë-Durrës është në funksion të plotë, megjithatë Ministria e Transportit bën thirrje për kujdes. E vetmja rrugë nacionale e bllokuar është aksi Rrëshen-Fushë Arrëz.

Ndërsa në Kamëz 110 familje të prekura nga përmbytjet përgjatë rrjedhës së lumit të Tiranës janë larguar përkohësisht nga banesat, ndërsa 40 familje të tjera janë evakuar në Paskuqan.

Top Channel