BSH: Ekonomia, në rimëkëmbje graduale. Në 2017, në ekuilibër

09/11/2016 00:00

Banka e Shqipërisë deklaroi këtë të mërkurë se ekonomia shqiptare është në përmirësim gradual. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se zgjerimi i aktivitetit ekonomik po jep efekte pozitive në punësim.

“Zgjerimi i aktivitetit ekonomik në vend ka sjellë rritje të punësimit dhe ulje të papunësisë. Lëvizja graduale e ekonomisë drejt ekuilibrit krijon premisa për rritjen e pagave dhe kostove të prodhimit në një plan afatmesëm”, deklaroi Sejko.

Sipas BSH, politika fiskale e qeverisë ka konsoliduar ekonominë dhe rritja është brenda parashikimeve. Guvernatori u shpreh optimist edhe për 2017-n.

“Ekonomia shqiptare do rikthehet në ekuilibër gjatë vitit 2017. Rritja do mbështetet nga konsumi dhe investimet private, ndërkohë që aktiviteti tregtar me jashtë do të luajë një rol dytësor në rritje”, nënvizoi Sejko.

Buxheti i vitit 2017, nga të dhënat e deritanishme të bankës është solid. Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës la të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, ndërkohë që vlerëson se politika lehtësuese monetare dhe plani për uljen e kredive me probleme do të japë efekt në rritjen e kreditimit.

Top Channel