Obama: Të lutemi dhe të punojmë për suksesin e Trump

09/11/2016 00:00

“Të gjithë lutemi për suksesin e Trump”. Ka qenë ky reagimi i presidentit amerikan Barack Obama, pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale që nxorrën fitues miliarderin njujorkez.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka vlerësuar punën e Hillary Clinton, qoftë si sekretare Shtetit, ashtu edhe përgjatë fushatës elektorale.

“Jam krenar për Clinton. Ka qenë një sekretare e Shtetit shumë e mirë dhe besoj se do të vazhdojë të punojë për Amerikën”, ka thënë Obama.

Ai ka theksuar se, pavarësisht kush fitoi zgjedhjet, të gjithë duhet të punojnë për Amerikën. “Para se të jemi demokratë apo republikanë jemi të gjithë patriotë. Këtë dëgjova nga Donald Trump dje, këtë dëgjova pasi fola me të dhe kjo është ajo çka vendit tonë i duhet: respekt për institucionet, respekt për ligjin dhe respekt për njëri-tjetrin”, ka thënë Obama.

Ai ka shtuar se humbja është normale në një demokraci, ndaj askush nuk duhet të dekurajohet.

“Pavarësisht fitues apo humbës në këto zgjedhje, ky ishte misioni ynë dhe unë jam krenar për ekipin tim, për gjithçka që ka bërë. Kjo është natyra e fushatës, e demokracisë. Nuk është gjithmonë frymëzuese, por për të rinjtë që kanë mbetur të zhgënjyer unë them se duhet të mbeteni të inkurajuar, të mos jeni cinikë dhe të luftoni për çfarë është e drejtë. Të punojmë që të sigurohemi që presidenti i ardhshëm të ketë sukses”, ka shtuar Obama.

Top Channel