Clinton: T’i japim Trump shansin për të drejtuar. Bashkë për një Amerikë më të fortë

09/11/2016 00:00

Hillary Clinton ka thyer heshtjen për herë të parë pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të Shteteve të Bashkuara, që nxorrën fitues rivalin e saj, Donald Trump.

Në një fjalim përpara simpatizantëve të saj, Clinton ka deklaruar se përveç se ka uruar Trump është shprehur e gatshmë që të bashkëpunojë me të për të mirën e Amerikës.

“Ne kemi parë që vendi ynë është më i ndarë nga sa mendonim, por unë besoj tek Amerika. Donald Trump do të jetë president dhe ne i detyrohemi atij shansin për të drejtuar”, ka thënë Clinton.

Ajo ka theksuar se Amerika duhet të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat dhe për këtë ka kërkuar kontributin e të gjithëve, pa dallime politike.

“Demokracia jonë kushtetuese e detyron pjesëmarrjen tonë gjatë gjithë kohës. Ndaj të vazhdojmë të mbrojmë liritë tona, ekonominë, vendin dhe planetin. Ëndra amerikane është e madhe për këdo. Ne duhet të ofrojmë shanse të barabarta për këdo”, është shprehur Clinton.

Ish-sekretarja e Shtetit ka theksuar se, është jetike që secili të bëjë pjesën e tij për të ndërtuar një Amerikë më të fortë. “Dhe unë e di që do ta bëjmë këtë”, ka thënë ajo.

Më tej Clinton i ka shprehur mirënjohjen e saj elektoratit dhe stafit të fushatës. “Ky nuk është rezultati që ne donim dhe për të cilin punuam, por ndjej krenari dhe mirënjohje për këtë fushatë që bëmë së bashku. Ju përfaqësoni më të mirën e Amerikës dhe të isha kandidatja juaj ka qenë nderi më i madh i jetës sime”, ka vijuar Clinton.

“Më vjen keq që nuk i fituam këto zgjedhje për vlerat që ndajmë dhe për vizionin tonë për këtë vend. Ne nuk e kemi shembur ende tavanin më të lartë prej xhami, por ndonjë ditë dikush do ta bëjë”, është shprehur ajo.

Në fund, ish-zonja e parë u ka rezervuar një mesazh edhe vajzave të vogla, të cilave u ka thënë: “Kurrë mos dyshoni në vlerat dhe fuqinë tuaj dhe në barazinë për të merituar çdo shans dhe oportunitet në botë”.

Top Channel