Kosovë, Thaçi uron presidentin Trump

09/11/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Thaçi ka thënë se, miqësia e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është bazamenti, mbi të cilin do të vazhdojë thellimi i bashkëpunimit dypalësh.

Në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës, presidenti Thaçi i ka uruar presidentit të zgjedhur amerikan një mandat të suksesshëm në realizimin e prioriteteve të popullit amerikan.

“Duke qenë i vetëdijshëm për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në arenën ndërkombëtare, jam i bindur se presidenti i zgjedhur, me përgjegjësinë më të lartë do t’i adresojë sfidat e shumta në nivel global. Miqësia e përhershme ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë është bazamenti, mbi të cilin do ta vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit dypalësh”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ndërkohë, edhe një mesazh kandidates demokrate Clinton.

“Sekretares Clinton i jemi përgjithmonë mirënjohës për mbështetjen e saj të vazhdueshme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.

Top Channel