Memushaj: Mendojmë vetëm për Izraelin

09/11/2016 00:00

Mesfushori Ledian Memushaj duket totalisht i përqendruar te ndeshja e së shtunës mbrëma e kombëtares sonë ndaj Izraelit.

Në një konferencë për shtyp këtë të mërkurë, lojtari i Peskarës, i cili është edhe kapiten i skuadrës italiane, është shprehur se jo vetëm ai, por i gjithë grupi është duke menduar për ndeshjen ndaj Izraelit dhe nuk po mendon askush për takimin me Italinë. 

”Aktualisht për momentin gjëja më e rëndësishme është ndeshja ndaj Izraelit, kemi kohë për të menduar për Italinë. Në Itali të them të drejtën kanë shumë respekt për Shqipërinë si kombëtare, madje na kanë edhe pak frikë pasi e dinë që jemi një ekip i mirë, por për momentin ne duhet të mendojmë vetëm për Izraelin”.

Edhe pse ishte një nga lojtarët që spikati më shumë në Europianin francez, në ndeshjet e fundit me Shqipërinë, Memushaj nuk është aktivizuar shumë, ndërkohë që te Peskara luan rregullisht, por pavarësisht kësaj 29-vjeçari nga Vlora nuk i vendos asnjëherë në diskutim zgjedhjet e trajnerit De Biasi duke theksuar se te Shqipëria konkurrenca është shumë e madhe.

“Unë do të kërkoj të jap maksimumin edhe në stërvitje pastaj këto janë zgjedhje që i bën trajneri. Me ekipin tim nuk është se gjërat po na shkojnë shumë mirë, është një periudhë negative për ne. Por kampionati sapo ka filluar dhe kemi akoma shumë ndeshje për të rikuperuar terren. Këtu në kombëtare ka shumë konkurrencë jemi shumë lojtarë, dhe janë të gjithë futbollistë që aktivizohen te klubet e tyre. Kjo është diçka pozitive sepse tregon edhe faktin që jemi rritur shumë si ekip, prandaj edhe trajneri ka shumë zgjedhje”.

Humbja ndaj Spanjës nuk është harruar ende, por sipas Ledian Memushajt, Shqipëria është paraqitur mirë deri tani në eliminatoret e Botërorit dhe nuk ka arsye për ta kthyer kokën pas.

“E vetmja ndeshje që kemi gabuar në këto eliminatore është ajo me Spanjën, por besoj se nuk mund të bënim dot më shumë sepse Spanja është një skuadër e një tjetër niveli dhe është superiore krahasuar me të gjitha ekipet  e tjera të grupit tonë”.

Top Channel