Opozita bojkoton “Buxhetin”, nis diskutimi në komisionet parlamentare

09/11/2016 00:00

Opozita braktisi konferencën e kryetarëve, ku diskutohej buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm. Edi Paloka, kryetari i grupit parlamentar të demokratëve, shpjegoi arsyet.

“Edhe sot, edhe këtë konferencë, kërkojnë ta përdorin në mënyrën më të shëmtuar, për t’iu bërë propagandë shqiptarëve, atyre që sot janë të mbytur. Për këtë arsye, ne u larguam në shenjtë proteste dhe iu kërkuan atyre të shkojnë e të bëjnë detyrën e tyre pranë qytetarëve shqiptarë”, tha Paloka.

Por kryetari socialist i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe tha se janë deputetët e opozitës, ata të cilët kanë braktisur qytetarët.

“Në qoftë se ka një gjë, për të cilën kanë nevojë edhe ata njerëz atje, është buxheti i shtetit. Me qëllim që, të gjitha ato vepra që janë financuar gjatë këtij viti dhe që për hir të së vërtetës kanë dhënë efekte shumë të mira në pjesë të konsiderueshme të territorit, normalisht të vazhdojnë të financohen për të krijuar një situatë edhe më të mirë, që përballon reshje edhe më të mëdha sesa këto”, u shpreh Braçe.

Konferenca e kryetarëve u zhvillua me dyer të mbyllyra, edhe pse fillimisht ishte lajmëruar si e hapur për mediat.

“Buxheti i vitit 2017 është buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve. Ai vazhdon të mbështesë rritjen ekonomike prej 3.8 për qind, është buxheti i uljes drastike të borxhit, duke e çuar nën shifrën e marrë në vitin 2013, duke përfshirë këtu edhe detyrimet e prapambetura”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Projektkalendari i buxhetit të shtetit pritet të votohet në seancën e ardhshme plenare, ndërsa diskutimi i draftit, sipas Braçes pritet të marrë 35 ditë.

Top Channel