Vlahutin: KE njohu progresin e Shqipërisë. Vettingu nuk shkel Kushtetutën

09/11/2016 00:00

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin interpretoi rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni për hapjen e negociatave të anëtarësimit si njohje e progresit të bërë nga vendi.

“Kjo do të thotë që Komisioni ka arritur në vlerësimin që Shqipëria ka treguar progres të qëndrueshëm që meriton këtë rekomandim”, tha Vlahutin.

Gjithsesi, në konferencën e përbashkët më Kryeministrin Rama, kryediplomatja e BE-së në Tiranë konfirmoi atë që thuhet në raport; që negociatat nuk hapen pa u vërejtur progres konkret në reformën në drejtësi dhe veçanërisht në ligjin e Vettingut.

“Dy gjëra që nuk duhet t’i harrojmë, së pari zbatimi i mëtejshëm i reformës në drejtësi dhe zbatimi i Vettingut, dhe së dyti 5 prioritetet. Nga ritmi dhe cilësia e zbatimit të reformës në drejtësi, varet edhe hapja e negociatave”, u shpreh ajo.
 
Vlahutin u pyet në lidhje me kushtetueshmërinë e Vettingut. Ajo tha se ligji në tërësi nuk e shkel atë, por kontestohen vetëm disa nene të tij.

“Është e qartë që kushtetueshmëria e ligjit nuk është vënë në pikëpyetje. Ajo që i është çuar Venecias ka të bëjë me disa elementë të këtij ligji. Nuk bëhet fjalë për të gjithë ligjin, por për disa nene të ligjit, disa elemente që janë çuar atje dhe Venecia do të na japë një përshkrim të qartë të vendimit të tyre shumë shpejt”, deklaroi ajo.

Top Channel