Trumpi president, Putin është i kënaqur. Merkel: E gatshme të bashkëpunoj ngushtë me të

09/11/2016 00:00

Udhëheqësit botërorë kanë reaguar shumë shpejt ndaj lajmit se presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara do të jetë Donald Trump. Qëndrimi i Vladimir Putinit ishte i pritshëm. Shefi i Kremlinit zotohet të rivendosë plotësisht marrëdhëniet, deri më tani të tensionuara, me Amerikën.

“Dua t’i përcjell popullit amerikan urimet e mira për fundin e këtyre zgjedhjeve me një fitore të Donald Trumpit. I kemi dëgjuar deklaratat e tij parazgjedhore, kur ishte ende kandidat për këtë post, të cilat tregonin qartë një kurs drejt përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. E dimë se nuk ka për të qenë një rrugë e lehtë, duke pasur parasysh fatkeqësisht nivelin e degradimit të marrëdhënieve dypalëshe. Por Rusia tani është e gatshme të bëjë gjithçka është e mundur për stabilizimin e marrëdhënieve me Amerikën”, tha Putin.

Kancelarja Angela Merkel u ofrua të punojë ngushtë me Trumpin mbi bazat e vlerave të demokracisë, lirisë, respektimit të ligjit dhe atë të dinjitetit njerëzor.

“Gjermaninë dhe Amerikën i lidh bashkë një sistem i tërë vlerash. Pikërisht në bazën e tyre, unë jam e gatshme të bashkëpunoj ngushtësisht me presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, tha Merkel.

Urime, Trumpi ka marrë edhe nga vet presidenti Obama, i cili e ftoi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar kalimin e pushtetit; nga Donald Tusk dhe Jean-Claude Juncker, që i kërkojnë të vijë në Europë për bisedime; nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg; kryeministrja britanike Theresa May; presidenti izraelit Reuven Rivlin; si dhe sekretari i shtetit të Vatikanit, kardindali Pietro Parolin, i cili përcolli shpresën që kjo presidencë të jetë sa më e frytshme.

Por nuk kanë munguar as kritikat. Presidenti francez François Hollande tha se fitorja e Trumpit “hap një periudhë të re paqëndrueshmërie”, ndërsa ndryshe nga shefja e ekzekutivit gjerman, zëvendëskancelari Sigmar Gabriel e sheh triumfin e miliarderit si paralajmërim për Gjermaninë dhe Europën, ndërsa vet Trumpin e quajti “pionierin e një lëvizjeje të re autoritare”.

Top Channel