Rama: Reforma çel negociatat, do të plotësojmë çdo detyrë. PD, kërkesë të turpshme

09/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama nuk e interpretoi si kushtëzim të Komisionit Europian rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit pas hapave konkretë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe veçanërisht ligjin e Vettingut.

Rama e quajti normale këtë kërkesë të Brukselit dhe dha edhe argumentet e tij për këtë.

“Si mund të çelen normalisht negociatat nëse nuk ka nisur ende Vettingu për gjykatësit dhe prokurorët, kur dihet që dy kapitujt e parë janë për drejtësinë?!”, pyet Rama.

Kryeministri akuzoi opozitën se kërkon të bllokojë hapjen e negociatave.

“Këtë e dinë edhe dritëshkurtërit që kanë bllokuar përkohësisht Vettingun me kërkesën e turpshme për ta shpallur antikushtetues dhe do të duan të bllokojnë negociatat”, tha ai.

Rama shtoi se Qeveria që ai drejton dhe mazhoranca është e bindur në vazhdimin e reformave dhe jo vetëm sepse ato i kërkon Brukseli, por për ndërtimin e Shqipërisë moderne, sipas tij.

“Shteti modern ndërtohet vetëm duke ndjekur rrugën e integrimit europian si e vetmja rrugë për të bërë shtet dhe forcuar institucionet. Duhet të vazhdojmë me vijimin e progresit në çdo fushë, përfshirë zbatimin e ligjit të Vettingut”, deklaroi Rama.

Top Channel