NBA, e shokuar nga Trumpi president

09/11/2016 00:00

Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Amerikës i dha një goditje të madhe botës së NBA-së. Pjesa më e madhe e basketbollistëve, trajnerëve apo edhe drejtuesve të klubeve ishin mbështetës së kandidates demokrate, Hillary Clinton, dhe askush prej tyre nuk e fshehu zhgënjimin për disfatën e saj.

Dikush e shprehu këtë shqetësim me tone humoristike, siç ishte rasti i Enes Kanter (Oklahoma). Basketbollisti turk ngriti në “Twitter” pyetjen nëse kishte ndonjë ekip europian apo kinez, që të pranonte një lojtar të karakteristikave të tij.

Ndërsa Norman Powell ishte ai që dha opsionin e emigrimit në Kanada, duke përdorur flamurin e këtij shteti nëpërmjet “emoticons”, përkrah mesazhit: Përgjithmonë!

Lojtarë të tjerë e shfaqën seriozisht shqetësimin e tyre për këtë triumf të Trumpit. Basketbollisti i Boston Celtics, Thomas, ndërsa bëhej numërimi i votave publikoi në profilin e tij në “Twitter” mesazhin kundër Trumpit: Shpresoj të mos ndodhë! Ky njeri nuk duhet të fitojë!

DeMarcus Cousins u mjaftua me shfaqjen e “emoticon”-it të një fytyre të trishtuar, për të treguar atë që ndiente për fitoren e Trumpit, sikurse edhe bashkëshortja e Stephen Curry, Ayesha Curry. Ndërsa spanjolli Riki Rubio, i cili jeton në SHBA prej 5 vitesh duke qenë edhe pjesë e Minnesotës, shprehu habinë e tij për këtë zgjedhje të votuesve amerikanë.

Megjithatë kishte edhe nga ata lojtarë apo drejtues klubesh që e uruan Trumpin për fitoren, edhe pse shumë të paktë në numër. Kris Humphries ishte njëri prej atyre që e priti me entuziazëm fitoren e Trumpit, duke postuar në “Twitter” sloganin e fushatës elektorale të manjatit amerikan. Ndërsa pronari i Dallas Mavericks, Mark Cuban, me bindje politike republikane, edhe pse në këto zgjedhje mbështeti Clintonin theksoi se i duhet dhënë kjo mundësi Donald Trump.

Top Channel