“Tsunami populist” kërcënon Europën, pas Trumpit dhe “Brexit”-it

09/11/2016 00:00

Duke u rikthyer në maj, atëherë kur një fitore presidenciale e Trumpit konsiderohej në kufijtë e së pamundurës, një zyrtar europian shfrytëzoi “Twitter”-in përpara një samiti të G7-s në Tokio për të paralajmëruar një “skenar horrori”.

Imagjinoni, ishte duke medituar Martin Selmayr, kreu i kabinetit të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, sikur në vend të Barack Obamës, François Hollande, David Cameron dhe Matteo Renzit, takimi i vitit të ardhshëm i kombeve më të industrializuara të botës të përfshinte Trumpin, Marine Le Pen, Boris Johnsonin dhe Beppe Grillon.

Një muaj më vonë, Britania shokoi mbarë botën me rezultatin e referendumit, pro largimit nga Bashkimi Europian. Cameron dha dorëheqjen si kryeministër dhe Johnson, dikur kryebashkiak i Londrës që ndihmoi britanikët e lëkundur të votonin “Brexit”-in, u bë Sekretar i Jashtëm.

Tashmë, me triumfin e Trumpit përkundrejt rivales së tij demokrate, Hillary Clinton, “tsunami populist” që dukej i çuditshëm disa muaj më parë po bëhet realitet, ndërsa pasojat për peizazhin politik të vet Europës duken tepër të mëdha.

Në vitin 2017, votuesit në Holandë, Francë dhe Gjermani – e me shumë mundësi edhe në Itali e Britani, – do të votojnë në zgjedhjet parlamentare pas triumfeve të Trumpit dhe “Brexit”-it, por edhe pas politikave “intoksikuese” që udhëhoqën fushatat e tyre.

Leksionet nuk kanë për t’u humbur nga partitë populiste të Europës, të cilat lavdëruan fitoren e Trumpit këtë të mërkurë, si një goditje e fortë në trup ndaj rrjedhës së përgjithshme politike.

“Sot Shtetet e Bashkuara, nesër Franca”, shkroi në “Twitter” themeluesi i Frontit Nacional francez, Jean-Marie Le Pen, babai i udhëheqëses së partisë Marine Le Pen.

Daniel Schwarzer, drejtoreshë e kërkimeve në Këshillin gjerman të Marrëdhënieve të Jashtme (DGAP), tha se taktikat “pa doreza” të Trumpit po kthehen në një model për partitë populiste europiane në fushatat e ardhshme kanosëse.

“Thyerja e tabuve, shtrirja e gjerë e konfliktit politik, agresiviteti që kemi parë nga Trumpi, zgjeron fushëveprimin e asaj që konsiderohet e mendueshme në kulturën tonë politike”, tha Schwarcer.

Në fillim të muajit të ardhshëm, austriakët do të votojnë në zgjedhjet presidenciale, që mund ta kthejnë Norbert Hofer, nga Partia e Lirisë, në kreun e parë të ekstremit të djathtë në Europën Perëndimore, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Në po të njëjtën ditë, referendumi për reformën kushtetuese, aty ku kryeministri Renzi ka vendosur në provë të ardhmen e tij, mund të shkaktojë trazira politike në Itali, duke e shtyrë edhe më shumë “Lëvizjen 5 Yjet” të ekstremit të majtë, drejtuar nga Grillo, shumë pranë marrjes së pushtetit.

Nacionalistët e së djathtës janë duke qeverisur aktualisht në Poloni dhe Hungari. Në Europën Perëndimore, gjasat që një figurë e ngjashme me Trumpin të marrë pushtetin duken përkohësisht të largëta.

Në demokracitë parlamentare të vendeve europiano-perëndimore, partitë tradicionale shpesh janë bashkuar për të formuar koalicione, në mënyrë që të mbajnë larg populistët. “Por mësimi i votës së ‘Brexit’-it është se, partitë nuk duhet të jenë medoemos në qeveri për të krijuar debat politik”, thotë Tina Fordham, kryeshefe e politikës globale në “Citi”, duke përmendur partinë antieuropiane të UKIP-it, e cila ka vetëm një vend në “Westminster”.

“UKIP vërtet pati rezultate të dobëta në zgjedhjet e fundit, por ka një ndikim të madh mbi dinamikën politike në Britani”, thotë Fordham. “Kombinimi i fushatës së ‘Brexit’-it dhe Trumpit kanë ndryshuar totalisht mënyrën sesi organizohen fushatat”.

E teksa mbështetja për partitë tradicionale bie dhe shfaqen lëvizje të reja politike, sfida për të formuar koalicione është bërë gjithnjë e më e vështirë.

Në Spanjë, kryeministri në detyrë Mariano Rajoy u rikthye në pushtet javën e kaluar, por vetëm pas dy proceseve zgjedhore të pafrytshme, në të cilat votuesit braktisën konservatorët e tij dhe rivalët tradicionalë të së majtës, Partinë Socialiste”, duke u dhënë më shumë përkrahje dy partive të reja, “Podemos” dhe “Ciudadanos”.

Pas 10 muajsh krize politike, Rajoy gjendet tashmë në krye të një qeverie pakice, që pritet të vuajë së tepërmi në kalimin e ligjeve, implementimin e reformave dhe duke shkaktuar boshllëqe në financat publike të Spanjës.

Virusi i brishtësisë politike mund të përhapet shumë shpejt, vitin e ardhshëm, nga Spanja drejt Holandës, aty ku partia e ekstremit të djathtë, “Partia e Lirisë” e drejtuar ngaGeert Wilders, është kokë më kokë nëpër sondazhe më liberalët e kryeministrit Mark Rutte. Për këtë të fundit, qëndrimi në pushtet pas zgjedhjeve të marsit mund të kushtëzohet me nevojën e konsiderimit të një koalicioni me një grusht partish të vogla, përfshi edhe “Të gjelbrit”.

Në Francë, vendi me sistem presidencial, mundësitë e Marine Le Pen për të dalë fituese janë jashtëzakonisht të pakta. Favoriti kryesor për të fituar zgjedhjet presidenciale të pranverës së ardhshme është Alain Juppe, një politikan 71-vjeçar i qendrës, me një eksperiencë të madhe në qeverisje, i cili kërkon një lidership më të përgjegjshëm pas një dekade hapash të gabuar të hedhura nga François Hollande dhe Nicolas Sarkozy.

Në Gjermani, aty ku votuesit do të hedhin votat vjeshtën e ardhshme, partitë ekstremiste kanë vuajtur të sigurojnë mbështetje në epokën e pasluftës, pikërisht për shkak të historisë së zezë të nazistëve, por edhe atje diçka po ndryshon.

Edhe pse një parti me një histori 3-vjeçare, “Alternativa për Gjermaninë” antiemigracion është bërë një forcë e nivelit kombëtar, duke shqetësuar konservatorët e Kancelares Angela Merkel, të cilët janë ndëshkuar në një seri votimesh rajonale për shkak të politikës së dyerve të hapura ndaj refugjatëve. Merkel mund ta shpallë qysh në fillim të dhjetorit planin nëse do të kandidojë për një mandat të katërt apo jo, e nëse po sondazhet sugjerojnë se ajo do të fitojë sërish.

Top Channel