Negociatat për anëtarësim, KE: Kusht “vetting”-u, drejtësia dhe antikorrupsioni

09/11/2016 00:00

“Shqipëria ka vazhduar të ketë progres të qëndrueshëm drejt përmbushjes së prioriteteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit”, tha Hahn.

Ky është përkufizimi që ka çuar Komisionin Europian në dhënien e rekomandimit për Shqipërinë. Një rekomandim, që kushtëzohet me zbatimin e Reformës në Drejtësi, posaçërisht me procesin e “vetting”-ut, aktualisht i pezulluar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Për shkak të progresit, Komisioni i jep një rekomandim të kushtëzuar Shqipërisë në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Kjo do të thotë se, ajo varet nga progresi i besueshëm dhe i prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, veçanërisht në rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve, siç quhet procesi i “vetting”-ut.

“Ne duhet të shohim qartë dhe në mënyrë të besueshme se, kjo po funksionon në të vërtetë dhe se vetëm rezultatet kanë rëndësi”.

Progresraporti i Komisionit Europian për Shqipërinë është shumë pozitiv dhe, në 90 faqet e tij përmenden shprehjet progres vendimtar dhe progres i qëndrueshëm për 90 për qind të fushave të marra në shqyrtim.

Komisioni Europian vëren progres edhe në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, me largimin nga Parlamenti të personave me të kaluar kriminale, si dhe sheh progres në luftën kunder korrupsionit.

Megjithatë, theksohet se Brukseli kërkon të shohë rezultate konkrete në hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë.

Raporti e rendit si kërkesë kryesore realizimin e Reformës Zgjedhore dhe shpreh shqetësimin për politizimin e komisioneve zgjedhore. Ky përshkruhet si raporti më pozitiv që ka bërë ndonjëherë Brukseli për Shqipërinë, por sërish kushtet mbeten.

Dhe një rikonfirmim të tyre pritet ta bëjnë në dhjetor vendet anëtare. Deri atëherë, duhet të jetë publikuar edhe opinioni i “Komisionit të Venecias” për ligjin e “vetting”-ut, i cili shikohet nga Brukseli si themeli i Reformës në Drejtësi, kryekushtit për hapjen e negociatave.

Top Channel