Uji i pijshëm në Tiranë, në mbrëmje furnizim normal

09/11/2016 00:00

Prej mëngjesit të së mërkurës parametrat e ujësjellësit të Bovillës janë përmirësuar, dhe në mbrëmje do të rifillojë procesi normal i furnizimit të plotë me ujë të pijshëm në Tiranë. Lajmi bëhet i ditur nga bashkia e Tiranës.

Pavarësisht reshjeve të dendura që kanë rënë edhe gjatë natës së kaluar, punonjësit e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës kanë punuar me intensitet të lartë për rregullimin e tubacionit kryesor të burimit të Shën Mërisë, që furnizon pjesën lindore të qytetit, i cili ishte dëmtuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut.

Një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe menaxhimit të situatës në impiantin e filtrimit të ujit në Bovillë, ku të dhënat e fundit tregojnë se situata sa vjen e përmirësohet.

Liqeni ujëmbledhës i Bovillës furnizohet nga ujëra me rrjedhje natyrale sipërfaqësore dhe si pasojë e reshjeve të dendura të ditëve të fundit u shkaktua turbullirë e ujrave të këtij liqeni. Bashkia e Tiranës dhe UKT morën masa të menjëhershme për të shmangur kufizimin me ujë të pijshëm për qytetarët.

Top Channel