Trump president, amerikanët “kërkojnë” largimin drejt Kanadasë e Zelandës së Re

09/11/2016 00:00

Faqja zyrtare kanadeze e emigracionit ka pësuar një problem, ose më saktë është bllokuar nga trafiku i tepërt, ndërkohë që një gjë të tillë ka raportuar edhe Zelanda e Re sa i përket faqes së saj për vizat rezidenciale. Kjo gjë ka ardhur si pasojë e fluksit të jashtëzakonshëm të amerikanëve, vetëm pak orë pasi Donald Trump siguroi “biletën” për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë.

Faqja kanadeze e emigracionit pësoi shpeshherë probleme gjatë mesnatës së të martës, në momentin kur Trump mori kryesimin në disa prej shteteve kyçe, duke dhënë shenjat e para të perspektivës së një fitoreje në zgjedhjet presidenciale. Në orët në vijim, ai i fitoi të gjitha këto shtete.

Në Zelandën e Re, zyrtarë të emigracionit thanë për “Reuters” se faqja e internetit “New Zealand Now”, e cila është baza për vizat rezidenciale dhe ato studentore, se kishin marrë mbi 1593 regjistrime nga shtetas amerikanë që prej 1 nëntorit, më shumë se 50 për qind të regjistrimeve mesatare mujore në kohë normale, brenda vetëm 7 ditëve.

Vizitat e shumta në këtë faqe nga shtetas me IP amerikane kanë qenë thuajse 80 për qind më shumë, pra rreth 41 mijë që prej 7 tetorit deri më 7 nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithsesi, Zyra neozelandeze për Emigracionin refuzoi të komentonte.

Ndërkohë, disa përdorues nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Azia shihnin njoftimin “error message” teksa përpiqeshin të futeshin në faqen kanadeze të emigracionit. Zyrtarë kanadezë nuk kanë komentuar mbi problemet e faqes së internetit, por diçka e tillë është bërë e bujshme nga shumë persona në rrjetin social “Twitter”.

E ndërsa disa amerikanë, shpesh me shaka apo ironi, ishin shprehur se do të largoheshin drejt Kanadasë nëse Trump zgjidhet president, ideja e tyre duket se është mirëpritur nga disa komunitete kanadeze.

Top Channel