BE uron Trump: Të forcojmë marrëdhëniet transatlantike

09/11/2016 00:00

Europa ka uruar Donald Trump për fitoren, duke e ftuar në samitin për marrëdhëniet BE-SHBA, për 4 vitet e ardhshme.

Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk dhe ai i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i kanë dërguar një letër urimi Trump, ku shprehen se sot më shumë se kurrë, duhen forcuar marrëdhëniet transatlantike.

“Vetëm duke punuar ngushtë BE dhe SHBA mund të vazhdojnë të bëjnë ndryshime kur diskutohet për sfidat e paprecedenta si Daesh, kërcënimet në sovranitetin e Ukrainësd dhe integritetin territorial, ndryshimet klimaterike dhe emigrimi”, thuhet në letrën e BE.

Më tej thuhet se duhen konsoliduar urat që janë ndërtuar përmes Atlantikut. “Europianët besojnë se Amerika, idealet demokratike të së cilës kanë qënë pikë referimi në të gjithë globin, do të vazhdojë të investojë në marrëdhëniet me miqtë dhe aleancat, për të ndihmuar që qytetarët dhe njerëzit në botë të jenë më të sigurtë dhe me prosperitet”, vijon letra.

Top Channel