Trump President, çfarë ndodh?

09/11/2016 00:00

Nëse i përmbahet platformës së tij, një ndër gjërat e para që do të bëjë do të jetë anulimi i reformës shëndetësore të Barack Obamës.

Por ka mundësi që si President, edhe pse gjatë fushatës këtë temë e ktheu në lajtmotiv të tij, Trumpi të mos i shkojë deri në fund idesë për kthimin e miliona emigrantëve të paligjshëm sepse pasojat mbi ekonominë amerikane do të ishin të jashtëzakonshme.

Ndoshta do të mendohet dy herë gjithashtu përpara se të nisë një luftë tregtare me Kinën. Bursat janë të frikësuara nga paparashikueshmëria e tij dhe të menduarit irracional.

Kur vjen fjala tek NATO, partnerëve europiane Trump do t’u kërkojë që të paguajnë më shumë. Ekonomisë do të përpiqet t’i japë një “shkundje” me paketa stimujsh.

Sa i takon Gjykatës së Lartë, vendimi i tij i parë do të jetë zëvendësimi i gjykatësit Scalia, që ndërroi jetë përpara disa muajsh. Obamës, Kongresi ia ndaloi zëvendësimin e tij.

Marrëdhëniet me Vladimir Putinin premtojnë të jenë të mira, aq sa dikush druhet se Trumpi president do t’i lerë Moskës dorë të lirë në Siri.

Top Channel