Rama kundër Trump, Basha kundër Ramës, Nishani: Asgjë nuk ndryshon

09/11/2016 00:00

Beteja elektorale për Shtëpinë e Bardhë ka përfshirë edhe politikën shqiptare, me pëlqimet apo mos pëlqimet për njërin apo tjetrin kandidat. Por ai është që është shprehur me hapur, ka qenë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit, e ka cilësuar një fatkeqësi për Amerikën, nëse Donlad Trump zgjidhet president. Por deklaratat e tij kaluan me shpejtësi dhe oqeanin dhe vetëm pak javë më pas, i ftuar në CNN, Rama ripërsëriti qëndrimin e tij.

“Mos e dhëntë Zoti! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme. Nuk komentova mbi zgjedhjet. Unë thjesht thashë diçka që kuptoj, pastaj nuk jam as i pari dhe as i vetmi që e thotë. Udhëheqës të tjerë në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime, pasi SHBA-të janë vend lider dhe shumë të rëndësishme për t’i përkitur vetëm vetes së tyre. SHBA është në sytë tanë një lider botëror, që ne e ndjekim si një shembull vërtet frymëzues dhe ky shembull frymëzues është ngritur mbi vlera dhe parime për të cilat Amerika ka luftuar dhe që e kanë bërë Amerikën të madhe”, deklaroi Rama.

Deklaratave të Ramës, kreu i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur me anë të një statusi në Facebook, por jo duke shprehur simpatinë për njërin apo tjetrin kandidat, por duke sulmuar Ramën.

“Lideri global ka marrë së fundmi një angazhim mbi të zakonshmen, ka vendosur të mësojë amerikanët si të zgjedhin Presidentin e tyre. Arroganca dhe deliri si rregull e kanë një kufi, por lideri botëror po tregon se për të, këto çrregullime janë të pamata. Amerikanët shpesh e gjejnë një Borat për të kaluar ca orë në ekrane apo kinema. Kësaj radhe regjisorët s’kanë nevojë të lodhen shumë. Personazhi është vetofruar”, shkroi Basha.

Më i balancuar, siç ia kërkon detyra, ka qenë Presidenti Bujar Nishani në deklaratat e tij, ku në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, u shpreh se asgjë nuk do ndryshoi në qasjen e SHBA-ve për Shqipërinë, pavarësisht se kush zgjidhet president.

“Zgjedhjet në SHBA janë të rëndësishme për të gjithë botën. Për Shqipërinë janë të rëndësishme pasi përbëjnë aleatin dhe mikun tonë më të madh. Për ne shqiptarët historikisht SHBA-ja e populli i saj ka qenë një aset i vyer. Cilido që të jetë president i SHBA do të jetë një mik i mirë dhe i afërt për Shqipërinë”, deklaroi Nishani.

Pjesa tjetër e jehonës në Shqipëri ka qenë një rreshtim pro dhe kundra deklaratave të kryeministrit dhe analizës nëse do të kemi pasoja apo jo nëse fiton Donald Trump.

Top Channel