Kandidatët e tjerë, liberali Johnson dhe ambientalisti Stein në listën e votimit

09/11/2016 00:00

Nëse Donald Trump dhe Hillary Clinton janë dy zgjedhje që për disa ndoshta nuk ofrojnë diçka, atëherë votuesit amerikanë kanë edhe një opsion të tretë madje edhe një të katërt. Krahas dy favoritëve kryesorë, në fletën e votimit renditen Gary Johnson nga Partia Liberale si edhe Jill Stein nga Partia e Gjelbër.

Sondazhet tregojnë se Gary Johnson pritet të renditet i treti në bazë të votave në garën presidenciale me mbi 4 për qind të mbështetjes së amerikanëve. Ai ka shërbyer si ish-guvernatori i Nju Meksikos. Para se ti futej karrierës politike, Johnson ka qenë biznesmen.

Fokusi i fushatës së tij ne fakt ka tërhequr vëmendjen e votuesve. Nën moton “Ne kërkojmë botën e lirisë; një botë në të cilën të gjithë individët janë sovranë dhe ku askush nuk është i detyruar të sakrifikojë vlerat e tij për të mirën e të tjerëve”, Johnson duket se hyri me këmbën e djathtë në garë por shumë shpejt magjia për të u prish.

Lidhjet e tij me politikën e jashtme nuk janë aspak të mira, të paktën këtë ka reflektuar në dy momente të fushatës së tij. I pyetur në një emision të “NBC” mbi atë çka ai do të bënte në qytetin e shkatërruar nga lufta Aleppo, të Sirisë, Johnson u përgjigj: “Çfarë është Aleppo?” Përgjigja e tij u kthye në një subjekt të kritikave në mbarë mediat sociale.

Mbështetja ndaj Gary Johnson mori edhe më tej tatëpjetën në shtator kur u pyet për emrin e një lideri ndërkombëtar që ai preferonte. Gary, i kapur ngushtë, u përgjigj: “Më duket se po përjetoj një moment si ai me Aleppon”, tha ai.

Njësoj në fillim gjërat u dukën premtuese edhe për Jill Stein me prirje të majta. Madje ishte kandidati demokrat-socialist senatori Bernie Sanders ai që ushqeu popullit amerikan shumë nga idetë e majta në fushatën e tij. Por Stein, mjeke në pension dhe aktiviste e vjetër e politikës mori goditje kur senatori i Vermontit pas humbjes në zgjedhjet paraprake kundër Clinton, u be krahu i saj i djathtë.

Megjithatë sado Gary Johnson dhe Jill Stein mund të dalin mirë në këto zgjedhje, gjithçka do të jete pikë plus për performancen e tyre, por jo se mund t’i japë terren drejt Shtëpisë së Bardhë për të cilët rruga drejt saj duket shumë e largët.

Sistemi dypartiak ka dominuar zgjedhjet në pjesën më të madhe të historisë së Amerikës. Në një fushatë ku 1 në 4 amerikanë preferojnë dy kandidatët kryesorë të partive si Republikane dhe Demokrate, palët e treta mbeten gjithmonë në hije.

Top Channel