Debatet mes kandidatëve, taksat, sjellja me gratë, e-mailet, emigrantët dhe politika e jashtme

09/11/2016 00:00

Prej fillimit gara presidenciale ne Shtetet e Bashkuara është shoqëruar me tensione të mëdha mes të gjithë kandidatëve. Por për analistët një fenomen është vënë re: ndryshe nga fushatat e mëparshme këtë herë akuzat kanë qenë personale më shumë sesa politike mbi platformat elektorale.

Madje, kur rrethi i kandidatëve u ngushtua pas zgjedhjeve primare, gara u karakterizua edhe më tepër nga ofendimet personale mes rivaleve politikë. Lojën e ofendimeve sigurisht që e nisi Donald Trump, por nuk ngeli pas as Hillary Clinton kur i quajti mbështetësit e republikanit si një “tufë budallenjsh”.

Triumfuese e debatit të parë televiziv të 26 shtatorit ishte Clinton me një diferencë të thellë prej 62% të preferencave kundrejt 27 përqindëshit që u rreshtua në krah të Trumpit. Ky i fundit u cilësua se pati një performancë shumë të ulët pasi sulmet mes dy rivaleve të mëdhenj u kthyen në personale në sallën e debatit, kur Trump e akuzoi kandidaten demokrate se nuk ka temperamentin dhe forcën e duhur për të qenë presidente. Clinton i kujtoi taksat.

“Perse nuk i deklaron taksat zoti Trump? Apo ndoshta sepse prej shumë vitesh nuk ke paguar asnjë taksë federale mbi të ardhurat”.

Debati i dyte televiziv i 9 tetorit ishte një përplasje më fortë. Duart nuk u shtrënguan mes kandidatëve. Fokusi i bisedës nuk ishte vendi, por çfarë ka bërë keq Hillary dhe çfarë ka bërë keq Trump. E për këtë të fundit ish-Sekretarja e Shtetit tha se mënyra sesi ai trajton gratë flet më shumë se çdo gjë.

“E dini, me kandidatët e mëparshëm republikanë për president, nuk kam qenë dakord me politikën dhe parimet, por kurrë nuk e kam vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për t’i shërbyer vendit. Donald Trumpi është ndryshe. E dëgjuam se çfarë mendimi ka ai për gratë. Pretendon se ajo video nuk e përfaqëson, por besoj se është e qartë për të gjithë se kush është ai në të vërtetë”, tha Clinton.

“Shikoni një herë Bill Clintonin se është shumë më keq. Ato të mijat ishin vetëm fjalë, ai kalonte në veprim. Në historinë e politikës nuk ka pasur kurrë një njëri kaq abuziv me gratë. Dhe ndaj femrave me të cilat ai abuzonte, Hillaria pastaj hidhej në sulm”, tha Trump.

Ecuria e dy debateve të parë, deri diku e parashikoi edhe fatin e të tretit. Por këtë herë njerëzit ishin përgatitur për një show të tillë, i cili po ashtu nisi pa asnjë shtrëngim duarsh. Në fillim të debatit Donald Trump u mundua të tregohej i përmbajtur, por pastaj kaloi sërish në ndërprerje të rivales së tij madje edhe në ofendime. Shkëndija që ndezi tensionet ishte pikërisht influenca e Vladimir Putin.

Clinton: Ti je lodra e Vladimir Putin. Është e qartë që nuk do ta pranosh. Së bashku me të ju përdorni sulmet kibernetike për të ndikuar tek zgjedhjet dhe për t’i ndryshuar ato në favorin tënd.

Trump: Jo në fakt t’i je lodra. Vladimir Putin nuk ka respekt as për ty dhe as për Barack Obama-n.

Clinton: Sigurisht që ndoshta nuk na ka qejf, kjo sepse ai do të preferonte një president që të ishte lodër për të, sikurse je ti.

Nuk vonoi shumë dhe Donald Trump kaloi në ofendime.

Trump: Hillary Clinton është një grua e poshtër.

Ky lloj diskursi politik asnjëherë nuk ka karakterizuar fushatën elektorale presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel