Suvorell: Fiton Clinton. Trump ka shumë probleme, nuk sillet si president

08/11/2016 00:00

Sokol Balla ka qenë në një shkollë të mesme të shtetit të Virxhinias, rreth 70 km larg nga Uashingtoni, në një nga qendrat e votimit që ka qenë e qetë edhe pse kishte kaluar mesdita. Ajo është një zonë demokrate dhe i tillë është edhe përfaqësuesi i tyre në Senatin e shtetit të Virxhinias, Scott Surovell.

Sokol Balla: Zoti Surovell, a mund të flasim rreth zgjedhjeve të kësaj radhe? I quani historike, a janë të tilla?

Scott Surovell: Janë zgjedhje historike. Janë mes zgjedhjeve më të pazakonta që kemi pasur në Virxhinia, por edhe në SHBA. Ka qenë një cikël brutal presidencial me kandidatë që kanë bërë gjëra që nuk i kishim parë kurrë. Ka mjaft zemërim në publik dhe mendoj se do të jetë një natë interesante.

Sokol Balla: A mendoni se rezultati i zgjedhjeve do t’i ndajë më shumë amerikanët?

Scott Surovell: Jo. Mendoj se, së pari amerikanët duhet t’i përfundojnë zgjedhjet. Pasi të votojnë dhe të shprehin vullnetin e tyre, e pasi retorika e zgjedhjeve të venitet, do të paraqitet mundësia që të gjithë të nisin të flasin dhe të punojnë së bashku për disa çështje. Mendoj se do të ketë qejfmbetje, pavarësisht se kush fiton apo humbet. Të paktën Sekretarja Clinton ka thënë se do të përpiqet që të bisedojë edhe me ata që mbështesin Donald Trump. Vet Donald Trump ka treguar se s’do ta bëjë këtë, por të shpresojmë se do ta bëjë Hillary.

Sokol Balla: Por duket sikur këto zgjedhje i kanë ndarë amerikanët, madje vihet re edhe tek vëzhguesit e partive…

Scott Surovell: Në vitet 1800, ishim kaq të ndarë, saqë bëmë një luftë civile. Nuk besoj se jemi afër një situate të tillë. Mënyra se si njerëzit flasin me njëri-tjetrin dhe se si marrin informacionet, ka ndryshuar shumë. Po flas për internetin dhe sasinë e lajmeve që jepen. Shumë njerëz nuk e dëgjojmë më krahun tjetër dhe kërkojnë lajmet apo njerëzit që duan të dëgjojnë, në vend që t’i dëgjojnë të gjithë. Mendoj se kjo është arsyeja pse njerëzit ndihen kaq të ndarë sot.

Sokol Balla: Thonë që Hillary Clinton dhe Doanld Trump janë zgjedhjet më të këqija të të dyja partive. A pajtoheni me këtë? Mund të kishte kandidatë më të kualifikuar apo më të mirë se Clinton dhe Trump?

Scott Surovell: Mendoj se Sekretarja Clinton bëri një garë më të mirë se të tjerët. Martin O’Malley dhe Bernie Sanders i bënë mjaft konkurrencë. Unë mbështesja Sandersin dhe më pëlqenin ato që ai thoshte, por kisha edhe shqetësime për të. Shumë njerëz mendojnë se gjatë zgjedhjeve paraprake, demokratët zgjedhin kandidatin më liberal, por ne nuk e bëmë këtë. Hillary Clinton nuk ishte kandidatja më progresive dhe liberale që garoi. Ndërsa përsa i takon republikanëve, nëse ata do të kishin zgjedhur dikë tjetër dhe jo Donald Trump, gara do të kishte qenë shumë më e ngushtë. Kjo ndodhi në Virxhinia vitin e shkuar në garën për guvernator. Ata zgjodhën një kandidat shumë konservator dhe po të mos kishin bërë këtë zgjedhje, shumë njerëz mendojnë se gara për guvernatorin do të kishte shkuar ndryshe. Kjo duket si diçka që po ndodh gjithnjë e më shpesh në SHBA.

Sokol Balla: A e imagjinojnë dot amerikanët vendi n e tyre më një President Donald Trump?

Scott Surovell: Gjithçka është e mundur, por unë kam besim tek populli amerikan dhe nuk besoj se populli amerikan do ta bëjë këtë. Nëse do ta bëjë, kjo më tremb. Donald Trump ka shumë probleme. Jo thjesht mënyra si flet, por sjellja, idetë, armiqësia që ka ndaj grave, myslimanëve, hispanikëve apo emigrantëve. Ai nuk sillet si President. Është ndryshe nga çdo kandidat që kemi parë të garojë për president.

Top Channel