Libra për të verbërit

08/11/2016 00:00

Elvisi nuk shikon, por di të lexojë. Ai është nxënës i klasës së shtatë në Institutin e Fëmijëve që nuk Shikojnë. Fillimisht e kishte të vështirë të mësonte alfabetin “braille”, sistem shkrimi që përdoret për të verbërit, ndërsa sot është nxënës i shkëlqyer.

“Në fillim ishte pak e vështirë, por me shumë punë kam arritur ta mësoj”, thotë ai.

Ndërsa Evisa, një tjetër vogëlushe bukuroshe është më fatlume se Elvisi. Ajo ka shikim të pjesshëm dhe përdor një tjetër mënyrë leximi.

“Kur kam ardhur këtu nuk i dija shumë mirë shkronjat. Më kanë dhënë një libër të zmadhuar dhe mund të lexoj shumë mirë”, tregon Evisa.

65 fëmijë të Institutit që nuk shikojnë, 15 prej të cilëve vajza dhe 36 nxënës të tjerë që nuk studiojnë në këtë institut do të kenë një laborator modern për prodhimin e librave në gjuhën “braille”.

“Ky është një sistem i tërë që jep mundësinë që fëmijët e kësaj shkolle të lexojnë libra, të regjistrojnë dhe që atë që përpiqemi të bëjmë përditë ta bëjmë edhe për komunitetin e fëmijëve që nuk shikojnë. Pra, t’u japim mundësinë të shohin jetën e përditshme”, ka deklaruar ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.

Ministri Klosi foli edhe për planin kombëtar të veprimit për personat me aftësi të kufizuara, të miratuar në qershor, që do të adresojë për herë të parë problemet e këtij komuniteti.

Top Channel