Zgjedhjet në SHBA, Bugajski: Clinton, më e mirë për Kosovën dhe Ballkanin

08/11/2016 00:00

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Janusz Bugajski, nga Qendra për Analiza të Politikës Europiane me seli në Uashington, thotë se Hillary Clinton do të ishte shumë më e mirë për Kosovën dhe për rajonin e Ballkanit, pasi ajo jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por do të dëshironte të arrinte edhe kompletimin e misionit.

I pyetur së pari mbi zgjedhjet presidenciale amerikane, duke u fokusuar te gara e fortë, e ashpër dhe e paqartë mes Clintonit dhe Trumpit, Bugajski i përshkruan ato mbi të gjitha si zgjedhje të pazakonta.

“Janë zgjedhje të pazakonta, sepse të dy kandidatët janë ekstremisht jo të popullarizuar. Mendoj se çfarëdo kandidati tjetër republikan, me gjasë do ta mundte Hillary Clintonin, ndërsa nga ana tjetër, pothuajse secili kandidat demokrat do ta mundte lehtë Donald Trumpin. Ne kemi një garë, që para së gjithash është e dy kandidatëve jo të popullarizuar. E dyta, ka shumë sulme personale, në masë të madhe të prodhuara nga Trumpi. Dhe e treta, ka fokus të pamjaftueshëm në çështje politike. Mendoj se zgjedhjet aktualisht janë shumë të gjata, pasi po vazhdojnë prej votimeve partiake dhe mendoj se shumë amerikanë janë të ngopur me to”, ka thënë Janusz Bugajski.

Ndërkohë, sa i përket pritshmërive të Ballkanit, që i ndjek me interes të madh këto zgjedhje, e në veçanti Kosova, Bugajski flet edhe mbi atë çfarë mund dhe duhet të presim pasi Clintoni apo Trumpi të bëhen president.

“Mendoj se është shumë e qartë, që Hillary Clinton do të ishte më e mirë për Ballkanin, për rajonin dhe Kosovën, pasi ajo jo vetëm që do ta vazhdonte politikën e presidentit Obama, por do të dëshironte të arrinte edhe kompletimin e misionit. Me fjalë të tjera, ta ndihmojë Kosovën të lëvizë në institucionet ndërkombëtare, të ketë siguri për një shtet funksional, përpjekjet për luftimin e korrupsionit, pastaj përpjekje për kufizimin e ndikimit rus në rajon. Derisa Presidenca “Trump” është shumë e paqartë, shumë e paparashikuar, besohet se ai kishte lidhje të afërta biznesi me Rusinë. Ai u është shmangur kritikave ndaj Putinit, ai e ka përshkruar NATO-n si potencialisht të vjetëruar… Pra, ka shumë frikë se Presidenca “Trump” do t’i kthente prapa disa nga përfitimet që janë bërë në rajon gjatë 10 viteve të kaluara”, tha Janusz Bugajski.

Top Channel