Kosovë, PDK-LDK me kandidatë të ndarë në Drenas. Dorëhiqet ambasadori i Kosovës në Tiranë

08/11/2016 00:00

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka shpallur kandidatin e saj për kryetar komune, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen më 4 dhjetor.

I pranishëm në diskutimet e kryesisë ka qenë edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli. Ata së bashku kanë vendosur që kandidat për kryetar të Drenasit të shpallin Ramiz Lladrovcin, siç e bëjnë të ditur përmes njoftimit të partisë.

Ramiz Lladrovci ka qenë së fundi ambasador i Kosovës në Shqipëri, e pasi është zyrtarizuar kandidimi i tij në komunën e Drenasit ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Dorëheqjen, ai e ka paraqitur përmes një letre drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ndërkohë, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur kandidatin e saj në këto zgjedhje të jashtëzakonshme. Në takimin e radhës të Kryesisë së kësaj force politike është diskutuar mbi shumë çështje, përfshi aktualitetin politik dhe progresin partiak, por edhe për reformën zgjedhore që lidhet me zgjedhjet në nivel lokal e qendror në Kosovë, proces i nisur së fundmi.

Në takimin e kryesisë është miratuar kërkesa e Degës së LDK-së në Drenas, sipas së cilës kjo forcë politike duhet të garojë e vetme dhe duhet të kenë kandidat zotin Bedri Nika, aktualisht kryetar i degës partiake në këtë komunë.

Zgjedhjët për kryetarin e Drenasit vijnë pasi më 25 dhjetor, Nexhat Demaku dha dorëheqjen, menjëherë pasi Gjykata e Apelit i konfirmoi dënimin e Shkallës së Parë, sipas të cilit ai dënohet me 3 vite heqje lirie, i akuzuar në çështjen “Drenica II”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel