Situata nga përmbytjet, Rama mbledh Zyrën Operacionale

08/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur pasditen e sotme Zyrën Operacionale për t’u njohur me të dhënat e fundit nga situata e përmbytjeve. Të pranishëm në këtë mbledhje, krerë të institucioneve dhe ministra përgjegjës kanë raportuar përpara kreut të qeverisë.

Shemsi Prençi, drejtor i Emergjencave Civile: Në zonën e Lezhës ka patur ujë në të paktën 35 banesa. Në Fushë Krujë janë evakuuar nga përmbytjet 17 familje. Ndërkohë, kapaciteti i plotë i hidrovoreve ka qenë gati që më datë 4 nëntor.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: Kemi mbyllur për ditën e sotme ujëmbledhësin e Bovillës, duke qenë se po vjen ujë i ndotur, i cili ka një turbullirë katër herë mbi normën maksimale.

Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë: Në një segment nga Fushë Kruja në Mamurras kemi përmbytje të rrugës. Në Kurbin situata është nën kontroll, pasi kanali i ujërave të larta funksionon. Ndërkohë, në orët e ardhshme sinoptikanët parashikojnë që reshjet të zhvendosen në jug.

Damian Gjiknuri, ministër i Energjitikës: Ndërprerja e energjisë gjithmonë është bërë për arsye teknike. Mund të themi se deri në këto momente është përgjysmuar numri i abonentëve që kishin probleme me furnizimin.

Nga ana e tij, pasi ka dëgjuar raportimet, kryeministri Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa për furnizimin me ujë, ndërsa ka vlerësuar funksionimin e plotë të hidrovorëve.

Top Channel