Ndeshja ndaj Izraelit, Veseli dhe Çani, fokusi 3 pikët

08/11/2016 00:00

Frederik Veseli shpreson shumë se mbrëmjen e 12 nëntorit do të jetë titullar në eliminatoret për botërorin 2018, por pak rëndësi ka nëse mbrojtësi do të jetë apo jo në fushë. Ndaj Izraelit do të kenë rëndësi vetëm 3 pikët.

“Ndoshta 90 përqind e skuadrave humbin kundër Spanjës, por ne duhet të përqendrohemi te Izraeli duke mos e lejuar humbjen e fundit të na destabilizojë. Tashmë nuk ka më skuadra të vogla dhe ndeshja ndaj Izraelit është shumë e rëndësishme për ne”, tha Veseli.

Në konferencën e programuar për shtyp, në krah të mbrojtësit të Empolit ishte dhe Edgar Çani. Sulmuesi i Pizës që ka patur oshilacione këtë sezon, pret shansin e tij, por ndërkohë do të festojë njësoj nëse kombëtarja fiton të shtunën.

“Jam gati dhe do të pres shansin tim. Duhet t’i përballojmë të gjitha ndeshjet dhe të japim maksimumin, por në ndeshjet në shtëpi është ndryshe dhe duhet t’i fitojmë”, tha Edgar Çani.

Shqipëria dhe Izraeli kanë nga 6 pikë secili pas 3 ndeshjesh në grupin G.

Top Channel