SHBA, pse kandidatët u përqëndruan vetëm në “shtetet e lëkundura”

08/11/2016 00:00

Për Shtëpinë e Bardhë luftohet në 50 shtete, por rezultatin e zgjedhjeve presidenciale mund ta vendosin vetëm disa prej tyre. Të ashtuquajturat “shtete të lëkundura” janë fushëbetejat, që deri në ditën e votimit nuk i jepnin asnjërit prej kandidatëve epërsi të qartë.

Kjo është arsyeja përse energjitë e tyre, përpara mbylljes së fushatës, u përqëndruan pikërisht në këto zona. “Ka disa arsye, – thotë “Zëri i Amerikës”, – përse gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara merr këtë rrjedhë”.

Në vend të votës popullore, presidencialet në Amerikë vendosen nga përballja shtet më shtet, ku pretendentët përpiqen të marrin sa më shumë vota elektorale. Sa më e madhe popullata e një shteti, aq më shumë vota elektorale siguron kandidati që fiton atje.

Të tjerë faktorë me ndikim në rezultatin e zgjedhjeve janë përbërja demografike dhe përkatësia politike e popullatës, të cilat nuk ndryshojnë shumë nga një votim në tjetrin. Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara zhvillohen çdo 4 vite dhe gjatë kësaj periudhe, përbërja demografike e shtetit mbetet pak a shumë njësoj, pasi numri i votuesve të rinj, që shtohen qoftë nga të ardhurit e rinj apo nga brezi që mbush moshën, si dhe numri i votuesve që vdesin është relativisht i vogël, në krahasim me popullatën totale.

Për rrjedhojë, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump nuk kishin nevojë të bënin fushatë në shtete si New York, Hawaii, Wyoming apo Alabama. Asnjë kandidat republikan nuk ka fituar në New York apo Hawaii që nga viti 1984, ndërsa Wyoming dhe Alabama nuk kanë votuar për një demokrat që në vitin 1964.

Shtetet, për të cilat ende nuk dihet se për kë do të votojnë sot janë Florida, Ohio, Colorado, Pennsylvania, Nevada, Virginia, Michigan, North Carolina, Iowa, Arizona, Wisconsin, New Hampshire dhe Georgia.

Top Channel