Tre viktima nga moti i keq, identifikohet trupi i pajetë në lumin e Tiranës

08/11/2016 00:00

Moti i keq që ka goditur vendin në orët e fundit është bërë shkak për vdekjen e tre personave.

Rasti i parë është shënuar në vendin e quajtur Plan i Bardhë në Bashkinë e Klosit, ku 42-vjeçari i identifikuar si Xhevahir Ndoi është rrëmbyer nga uji së bashku me makinën e tij.

Rasti i dytë është shënuar në fshatin Sukë të Këlcyrës, ku një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga çatia e shtëpisë si pasojë e erës së fortë. Mësohet se viktima e dytë nga moti i keq është Kastriot Spahiu, i cili kishte hipur në çati për të bërë disa riparime.

Po rreth orës 13:30, efektivët e komisariatit Nr 5 në Kamëz kanë njoftuar se kanë gjetur trupin e një personi të pajetë buzë lumit të Tiranës. Ai është identifikuar në orët e mbrëmjes dhe rezulton shtetasi Bajram Lala, rreth të 50-ave. Ai dyshohet se është rrëmbyer nga vërshimi i ujit pas reshjeve të dendura.

Por dhjetëra persona janë shpëtuar nga Emergjencat Civile dhe forcat e armatosura. Një helikopter “Kugar” evakuoi një familje që rrezikohej në zonën e Burrelit. Forcat e ushtrisë kanë ndërhyrë edhe në Borizanë të Fushë Krujës, në fshatin Urakë në Ajasëm të Shkodrës, si dhe në zonat e Brarit dhe Babrrusë në kryeqytet, ku kanë evakuuar familje dhe individë që kanë qenë në rrezik nga prurjet e shumta të lumenjve dhe përrenjve.

Pas mesdite në terren zbriti edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Parashikohet të ketë përkeqësim të motit në orët në vazhdim dhe gjatë natës. Janë mbi 100 familje të evakuuara dhe unë u bëj thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të lajmërojnë pranë numrave të emergjencës për çdo shqetësim që mund të kenë. Gjithashtu, në të tilla situata të evitojnë lëvizjet. Qeveria dhe shtabet e emergjencave janë në gatishmëri”, deklaroi Tahiri.

Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, Ministria e Arsimit vendosi pezullimin e procesit arsimor deri në një urdhër të dytë, në varësi të kushteve atmosferike.

Top Channel