Zgjedhjet në SHBA; “Lufta” deri në çastet e fundit

08/11/2016 00:00

Hillary Clinton dhe Donald Trump i ranë kryq e tërthor Amerikës në orët e fundit të betejës elektorale. Të dy ata i përqendruan përpjekjet në shtetet kyçe të Karolinës së Veriut, Pensilvanisë dhe Miçiganit. Kandidatja demokrate i kërkoi votuesve të mbështesnin një Amerikë gjithëpërfshirëse, zemërhapur e shpresëdhënëse, ndërsa rivali republikan u tha përkrahësve se kishin mundësinë e artë për të mundur sistemin e korruptuar.

“Në këto zgjedhje po testohen vlerat tona themelore. Ju dini mjaftueshëm për rivalin tim dhe pyetja të cilës duhet ti përgjigjeni është: Çfarë vendi e çfarë të ardhme do t’u ofrojmë fëmijëve tanë?”, u shpreh Clinton.

“Hillary Clinton është personi më i korruptuar që ka kandiduar ndonjëherë për Shtëpinë e Bardhë. Ajo po mbrohet nga një sistem i manipuluar, të cilin unë e kam denoncuar prej kohësh”, tha Donald Trump.

Sondazhet e tregojnë ish sekretaren e Shtetit në një avantazh prej 4 pikësh. Një numër rekord amerikanësh, më shumë se 46 milionë e kanë thënë fjalën e tyre gjatë votimeve të hershme përmes postës ose në qendrat zgjedhore.

Ka sinjale për një pjesëmarrje të lartë të votuesve hispanike, çka besohet se favorizon Clinton. Tubimet e fundit të fushatës, kandidatët i mbajtën pas mesnatës; Trump në Grand Rapids të Miçiganit dhe Clinton në Raleigh të Karolinës Veriore.

Në Filadelfia, demokrates ju bashkuan një sërë personalitete të botës së spektaklit, nga Bruce Sprengsten tek Xhon Bon Xhovi e gjithashtu bashkëshorti i saj Bill, presidenti Barack Obama dhe zonja e parë Mishel.

Obama u bëri thirrje votueseve t’i thonë jo frikës e të zgjedhin shpresën.

Top Channel