Juve, më shumë përforcime dhe rinovime

08/11/2016 00:00

Juventus ka përcaktuar strategjinë për të mbetur një skuadër kompetitive, si në Itali ashtu edhe në Evropë. Klubi torinez përveçse kërkon të blindojë yjet e tij që kërkohen nga gjysma e Evropës, synon edhe të sjellë në skuadër emra të rinj për t’u përforcuar akoma më shumë.

Në qendër të vëmendjes në aspektin e rinovimeve janë Leonardo Bonucci dhe Paulo Dybala. Mbrojtësi do të firmosë një kontratë deri në 2021 me një pagë prej 5 milionë Euro. Për më tepër për Bonuccin është projektuar edhe një e ardhme si kapiteni i skuadrës, pasi Buffon të jetë tërhequr nga futbolli i luajtur. Edhe për Dybalan është përpiluar një kontratë si ajo e Bonuccit, me afat skadence në 2021 dhe me një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon.

Përsa i përket blerjeve, Axel Witsel dihet se do të bëhet bardhezi. Belgut i përfundon kontrata me Zenit dhe Juventus i ka ofruar klubit rus 6 milionë Euro në sezon, nëse kjo ofertë s’pranohet, Witsel do të vijë në Torino me parametra zero. Juventus ka hedhur sytë edhe nga Ligue 1 dhe pikërisht te Blaise Matuidi, situatën e të cilit po e monitorojnë prej kohësh. Problemi qëndron te PSG që nuk lëshon aspak pe në lidhje me të ardhmen e këtij futbollisti.

Por objektivi madhor i kampionëve të Italisë së fundmi janë bërë pikërisht James Rodriguez e Marco Verratti. Kolumbiani po aktivizohet pak te Reali i Madridit dhe mund të kërkojë largimin. Ndërsa Verratti nuk ka raporte të mira me Emery dhe në muajt e verës gjithçka mund të ndodhë. Pengesa për Juventusin në këtë pikë është aspekti ekonomik; Rodriguez dhe Verrati pëlqehen edhe nga klube të Premier League me të cilët Juventus e ka të vështirë të konkurrojë përsa u përket financave.

Top Channel