Si zgjidhet Presidenti në SHBA

07/11/2016 00:00

Numërimi mbrapsht ka filluar. Në 8 nëntor zgjidhet Presidenti i 45 SHBA-së, një Republikë Federale Presidenciale e përbërë nga 50 shtete plus një distrikt, ai i Kolumbias.

Presidenti i parë i zgjedhur në 1789 ishte George Washington. I 44-rti, i zgjedhur në 2008 dhe i konfirmuar në 2012 është Barack Obama.

Presidenti është kreu i shtetit, i qeverisë dhe komandant i forcave të armatosura. Në nivel federal ushtron fuqi ekzekutive ndërsa pushteti legjislativ i është besuar dy dhomave të kongresit.

Qëndron në detyrë për 4 vjet e mund të rizgjidhet maksimalisht për dy mandate radhazi. Sipas ligjit amerikan kandidati për President duhet të jetë mbi 35 vjeç, të ketë lindur në SHBA e të ketë jetuar atje për të paktën 14 vjet.

Gara për Shtëpinë e Bardhë fillon me betejat brenda partive për zgjedhjen e kandidatëve demokratë e republikanë, por mund të marrin pjesë edhe kandidatë të pavarur që do të kenë mundur të sigurojnë firmat e nevojshme.

Republikanët e demokratët i zgjedhin kandidatët e tyre përmes votimeve shtet më shtet në zgjedhjet paraprake dhe asambletë partiake që zhvillohen nga shkurti në muajin qershor.

Në korrik mbahet konventa e të dyja partive, ku edhe shpallet kandidati fitues. Zgjedhjet janë përcaktuar me ligj që të zhvillohen të martën që vjen pas të hënës së parë të muajit nëntor, që mund të variojë në vite të ndryshme mes datave 2-8 nëntor.

Qytetarët nuk janë ata që e zgjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë Presidentin, por 538-të të ashtuquajturit votues të mëdhenj që formojnë Kolegjin Zgjedhor.

Pse pikërisht ky numër? Është shuma e 435 kongresmenëve plus 100 senatorët dhe 3 përfaqësuesit e distriktit të Kolumbias.

Duke qenë se çdo shteti i takon një numër i caktuar deputetësh, zakonisht jo më pak se tre, gjithmonë të ndryshëm e të llogaritur në proporcion me numrin e popullsisë dhe një kuotë fikse prej 2 senatorësh, numri i votuesve të mëdhenj varion çdo zgjedhje nga shteti në shtet.

Në të gjitha shtetet përveç Maine dhe Nebraskës, kandidati që merr më shumë vota fiton të gjithë votuesit e mëdhenj të shtetit.
Kështu fitues nuk shpallet ai që merr votat më të shumta popullore, por ai që siguron numrin më të madh të votuesve të mëdhenj.

Numri minimal për të siguruar biletën për në Shtëpinë e Bardhë është 270-ta. Në 9 dhjetor voton Kolegji Elektoral dhe në 20 janar Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës merr zyrtarisht detyrën.

Top Channel