Roli i shteteve të lëkundura në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA

07/11/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëhen nga 50 shtete, por kur është fjala për zgjedhjet presidenciale, parashikimi i fituesit mund të bëhet duke ndjekur garën vetëm në disa prej tyre, thotë Zëri i Amerikës.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturat fushëbeteja, shtete të lëkundura ku asnjëri nga kandidatët nuk ka një epërsi të qartë. Pikërisht për këtë arsye pretendentët shpenzojnë në këto shtete më shumë kohë dhe fonde për fushatë.

Ka një numër arsyesh përse gara presidenciale në SHBA merr këtë rrjedhë.

Në vend të votës popullore, në Amerikë zgjedhjet presidenciale varen nga gara shtet më shtet, ku pretendentët përpiqen të marrin sa më shumë vota elektorale. Sa më e madhe popullata e një shteti, aq më shumë vota elektorale merr kandidati që fiton në atë shtet.

Të tjerë faktorë që ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve janë përbërja demografike dhe prirja politike e popullatës, të cilat nuk ndryshojnë shumë nga një votim në tjetrin. Si rezultat, demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump nuk kishin nevojë të bënin fushatë në shtete si Nju Jorku, Hauai, Uajoming, apo Alabama.

Asnjë kandidat republikan nuk ka fituar në Nju Jork apo Hauai që nga 1984, ndërsa Uajoming dhe Alabama nuk kanë votuar për një demokrat që në 1964.

“Për këtë arsye, shtetet fushëbetejë janë fokusi qendror i gjithë procesit elektoral,” thotë për Zërin e Amerikës politologu Jeremy Meyer.

“Të dyja kampet bombardojnë 12 shtetet e lëkundura me fushata masive, reklama të shumta në televizor dhe telefonata për të bindur votuesit”.

Fushëbetejat e këtyre zgjedhjeve ndodhen në pika të ndryshme e janë: Florida, Ohajo, Kolorado, Pennsilvania, Nevada, Virxhinia, Miçigani, Karolina e Veriut, Ajoua, Arizona, Uiskonsin, Nju Hampshër dhe Xhorxhia…Florida and Ohajo, të dyja me një numër të madh votash elektorale janë dy shtete që ndiqen me vëmendje në çdo proces zgjedhor.

Që nga zgjedhjet e 1976 në Florida kanë fituar gjashtë herë demokratët dhe katër herë republikanët. Në Ohajo gjatë kësaj periudhe ka pasur pesë fitues republikanë e pesë demokratë.

Prirja politike e elektoratit në shtete të caktuara, sidomos në rastet kur këto shtete kanë votues që janë të përçarë në preferencat e tyre politike, dikton edhe mundësinë për të parashikuar se kush do të fitojë.

Në 2004 në një garë shumë të fortë në Ohajo, dy rrjete televizive pritën deri në orën një të mëngjesit në ditën pas zgjedhjeve për të deklaruar se George Bushi kishte fituar në atë shtet. Rrjete të tjera pritën edhe më gjatë.

Top Channel