Prapaskenat e një stoli. Pioli te Inter, fitoi mbi rivalët

07/11/2016 00:00

Audicionet për pankinën e Interit u kthyen gati-gati në një “reality show” me 3 kandidatët kryesorë që u takuan njëherazi me drejtuesit e skuadrës së futbollit italian, e që në fund triumfoi emri i Stefano Piolit. Por edhe pse me të gjitha gjasat do të jetë ai trajneri i ri, rruga nuk ishte e lehtë për tu ulur në një poltronë problematike dhe në situatë aspak të favorshme në Serie A dhe Europa League.

Marselino Garsia Torral ishte i preferuari kryesor i aksionarëve dhe mund ta quajmë trajner për një natë te Inter, pasi këtë të hënë perëndoi kandidatura e tij përballë Piolit. Ai kërkoi 3.5 milionë euro në vit dhe çek të bardhë për merkaton, që në fund të fundit u cilësuan të ekzagjeruara.

Kështu, Inter zgjedh Stefano Piolin për të ringritur zikaltërit nga bataku. Tekniku emilian është gati të shkëputë marrëdhëniet financiare me Lacion që janë ende në fuqi pas shkarkimit dhe do të firmosë me Interin deri në vitin 2018. E mërkura do të jetë dita e parë e stërvitjes, ndërsa në stafin e trajnerit të ri do të jetë dhe Valter Samuel. Pioli do të debutojë në derbi, aty ku tifozët shpresojnë se do të lërë shenjë në premierë.

Top Channel