Anglia përballë testit emocional, me Skocinë në Wembley

07/11/2016 00:00

Kur shorti i botërorit vendosi në një grup eliminator Anglinë dhe Skocinë ishin të dukshme përballjet emocionale respektive. Por këtë fundjavë në stadiumin “Wembley” do të rikthehet sfida klasike mes anëtarëve të një familjeje jo vetëm futbollistike, por edhe historike, një 90 minutësh të cilën vendasit do të kenë të vështirë kontrollin.

Sfida e parë zyrtare mes dy skuadrave të futbollit që prej vitit 1999 duket e garantuar për spektakël me Anglinë që është në pozicionin e favorites, por 3 pikët nuk janë aspak të sigurta me skocezët.

“Ne duhet të kemi kontroll emocional në përballjen me Skocinë. Është ndeshja më e vjetër në botë mes dy kombëtareve dhe nëse dikush nuk e di ende rëndësinë në kampin tonë, do ta mësojë shpejt këtë javë” tha trajneri i përkohshëm i 3 luanëve, Gareth Southgate.

Ky i fundit ka marrë detyrën për vetëm 4 ndeshje pas largimit të Sam Allardyce dhe me gjysmën të ezauruar, do të shpresojë të lërë shenjë ndaj fqinjëve të të njëjtit ishull.

“Dua që në fund të mbrëmjes të premten ta lë kombëtaren e Anglisë në vendin e parë në grup dhe jam i fokusuar vetëm në këtë objektiv. Çfarë ndodh me mua nuk ka rëndësi por çfarë fiton ekipi po” tha trajneri “part time”.

Anglia kryeson grupin F me 7 pikë në 3 ndeshje ndërsa Skocia është e katërta me po kaq pikë. Pas përballjes me Skocinë, anglezët do të luajnë në miqësore me Spanjën javën e ardhshme.

Top Channel