Në burg për terrorizëm, u prangosën pak orë para meshës në Shkodër

07/11/2016 00:00

Gjykata e Krimeve të rënda la nën arrest me burg katër të dyshuarit e Prokurorisë si të implikuar në vepra me qëllime terroriste, nxitës të urrejtjes dhe grindjes fetare si dhe organizues, financues dhe rekrutues për pjesëmarrje në luftimet luftarake në Siri.

Masa ndaj tyre është zhvilluar në sekret të plotë për shkak se arrestimi i tyre është i zhvilluar mes disa vendeve në rajon.

Top Channel mësoi se nga përgjimet telefonike të arrestuarit shfaqen mjaft aktivë tek flasin e planifikojnë veprime të paligjshme brenda vendit. Por ndërsa arrestimi i tyre u firmos pak orë përpara se te zhvillohej ceremonia e lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike në Shkodër, ajo që dihet është se dy nga të dyshuarit jetonin pikërisht në këtë qytet.

Ndërkohë, Prokuroria i dyshon ata edhe për propagandë tek besimtarët në mbështetje të ISIS, veçanërisht nga i Imami i vetëshpallur Xhezair Fishti. Por, si ai edhe të tjerët, mjeku Bekim Protopapa, berberi Ergys Faslia dhe Medat Hasani e kanë mohuar qëndrimin e akuzës. Të njëjtën gjë këmbëngulin edhe familjarët e tyre.

“Terrorist mjeku!? Mjeku që shëron njerëz, që është i gatshëm t’i japi ndihmë të gjithëve. Thjesht besimtar”, shprehet Melisa Protopapa, nëna e Bekim Protopapës.

Edhe Jetmira Faslia, e ëma e Ergys Faslisë, thekson se i biri është një besimtar prej të cilit nuk ka dëgjuar asnjëherë të flitet për Shtetin Islamik.

“Njerëzve u ka ardhur  tepër keq ai nuk ka pas e nuk ka probleme me askënd se shkon në xhami nuk mund të quhet terrorist . Djalin se kam dëgjuar  asnjëherë të flasë si përkrahës i ISIS .Ai ka shkuar është falur në disa xhami këtu afër dhe personin tjetër të arrestuar Bekimin e ka pasur shok xhamie”, shprehet Jetmira Faslia, e ëma e Ergus Faslisë.

Të katër të arrestuarit kanë ndjekur shpesh procesin kundër nëntë të dënuarve me 120 vite burgim në total për çështje terrorizmi pasi në disa episode kishin financuar dhe indoktrinuar shtetas shqiptarë për të luftuar përkrah ISIS në Siri.

Top Channel