Meta rizgjidhet në krye të LSI; fiton me 76% të votave ndaj Spahiut dhe Rrokaj

07/11/2016 00:00

Askush nuk kishte dyshim se Ilir Meta do të rizgjidhej në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pyetja ishte se çfarë mbështetjeje do të kishte tek anëtarësia e LSI-së platforma e dy kandidatëve rivalë, të cilët kërkojnë që LSI të jetë forca që do të përcaktojë kryeministrin, nëse ajo do të hyjë në koalicion me partitë e mëdha.

“Morën pjesë në votimin 42.370 anëtarë të regjistruar në listat e votimit, ose 84.29% e tyre. Në kutitë e votimit u gjendën 42.370 fletë votimi, nga të cilat 41.862 u vlerësuan të vlefshme dhe 508 të pavlefshme. Shpërndarja e votave të vlefshme rezulton si më poshtë: kandidati Ilir Rexhep Meta ka marrë 31815 vota, ose 76% të tyre; kandidati Përparim Islam Spahiu ka marrë 5065 vota, ose 12.1% të tyre; kandidati Shezai Feta Rrokaj ka marrë 4.982 vota, ose 11.9% të tyre. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bazuar në rezultatet e mësipërme vendosi të shpallë fitues të garës për kryetar të LSI-së zotin Ilir Meta”, deklaroi zëdhënësja Ornela Zonja në një komunikim me mediat.

Ilir Meta paralajmëroi të dielën se nuk do të marrë asnjë vendim pa zgjdhjen e strukturave të LSI-së, një proces që do të zgjasë deri nga fundi i dhjetorit.

Por më e rëndësishmja, pjesë e fushatës së Ilir Metës ka qenë premtimi për vendimmarrje më kolegjiale, që do të thotë se 24-përqindëshi që ka votuar për Ilir Metën kryeministër nuk do të lihet pa u dëgjuar.

Top Channel