Moti i keq, përmbytje e bllokim rrugësh në mbarë vendin

07/11/2016 00:00

Moti i keq, ashtu siç pritej, ka shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Në luginën e Drinos, në Gjirokastër, gjatë mëngjesit kanë rënë reshje të dendura shiu dhe si pasojë është vështirësuar qarkullimi i makinave në hyrje të qytetit.

Bllokim nga ujërat dhe inertet ka patur edhe në rrugët dytësore që lidhin qendrat kryesore si Antigonenë, e Lazaratin.

Probleme nga moti raportohen edhe ne Bashkinë Bajram Curr, ku ka patur rrëshqitje të dherave nga skarpata në rrugët që lidhin qytetin me Valbonën, që aktualisht është e bllokuar. Firma mirëmbajtëse po punon për hapjen e aksit, i dëmtuar në 4 segmente.

E bllokuar është edhe rruga Fierzë-Lekbibaj, e cila pas disa orë punë është hapur vetëm në një pjesë të saj, për kalimin e automjeteve.

Ndërsa në fshatin Xhan të njësisë administrative Pult, në Shkodër, siç raporton një qytetar për Top Channel, gjatë natës janë shkatërruar çati shtëpish nga vorbullat e ajrit.

Top Channel