SHBA, Obama ironizon Trumpin, pas heqjes së aksesit në “Twitter”

07/11/2016 00:00

Kur dikush nuk menaxhon dot një llogari në “Twitter”, si mund të menaxhojë kodet bërthamore të vendit?

Presidenti amerikan Barack Obama e vuri në lojë kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, pas raporteve se stafi i tij e kishte detyruar t’i qëndrojë larg rrjetit social, pasi me ndërhyrjet që bën po fundos fushatën.

“Dy ditët e fundit, ndihmësit e tij kishin kaq pak besim te vetëkontrolli i Trumpit, saqë thanë: do t’ia heqim fare ‘Twitter’-in. Tani, kur dikush nis e nxjerr mesazhe në ‘Twitter’ që në orën 3 të mëngjesit për shkak të disa shakave te ‘Saturday Night Live’, atëherë ai person nuk i menaxhon dot kodet bërthamore”, tha Obama.

Batuta e “Saturday Night Live” i referohej komenteve të Trumpit në mesin e tetorit, kur u ankua për mënyrën sesi e kishte portretizuar aktori Alec Baldwin, e tha se shfaqja ishte pjesë e një fushate negative në media për diskreditimin e tij.

Gjatë tubimit elektoral në Kissimmee të Floridës, Obama i kërkoi votuesve të këtij shteti kyç të dalin masivisht në votime të martën.

“Të gjitha rritjet tona të deritanishme do të fshihen, nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje. Në zgjedhje ne do të triumfojmë vetëm po morëm Floridën. Po fituam në Florida, përfundon çdo gjë”, tha Obama.

Sondazhet e fundit elektorale i japin Hillary Clintonit një epërsi prej 4 pikësh ndaj rivalit të saj Trump.

Top Channel