Luksemburgu: Spastrimet e Turqisë, reminishencë e nazistëve

07/11/2016 00:00

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut ka bërë një deklaratë sa shokuese, aq edhe tronditëse për Turqinë, teksa është shprehur se sjellja e qeverisë turke ndaj nëpunësve të shkarkuar civilë i kujton atij metodat e përdorura nga nazistët dhe se, herët a vonë, Bashkimi Europian duhet të kundërpërgjigjet me sanksione.

Më shumë se 110 mijë nëpunës civilë në Turqi, që variojnë nga ushtarë dhe gjykatës e deri te mësues e gazetarë, janë burgosur, pezulluar apo shkarkuar nga vendet e punës, që prej përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik, në atë që kritikët e presidentit Recep Tayyip Erdogan e quajnë si një spastrim ndaj të gjitha formave të disidencës.

Zyrtarët turq thonë se masat janë të justifikuara me kërcënimin që shfaqte përpjekja për puç, gjatë së cilës më shumë se 240 persona mbetën të vdekur, pasi ushtarë të papërgjegjshëm komanduan avionë luftarakë dhe tanke, bombarduan Parlamentin dhe ndërtesa të tjera qeveritare.

Emrat e atyre që janë përjashtuar nga administrata civile janë publikuar në një gazetë qeveritare, duke e bërë thuajse të pamundur për ta që të gjejnë punë diku tjetër. Veç kësaj, edhe pasaportat e tyre janë bërë të pavlefshme, duke pamundësuar largimin nga vendi.

Jean Asselborn tha se njerëzve u janë hequr gjithashtu edhe diplomat universitare, ndërkohë që shumica e tyre janë lënë pa asnjë burim të ardhurash për të jetuar. Disa prej mësuesve të shkarkuar, të cilët ishin burim i vetëm të ardhurash për familjet e tyre, janë ankuar se nuk munden më të sigurojnë as ushqimin e përditshëm për to.

“Për ta thënë troç, këto janë metoda të përdorura në epokën naziste dhe realisht përbëjnë një zhvillim tepër negativ, të cilin Bashkimi Europian thjesht nuk mund ta pranojë”, tha Asselborn. Ai sugjeroi vendosjen e sanksioneve ekonomike, duke iu referuar kështu 50 për qind të eksporteve turke që shkojnë në BE dhe 60 për qind të investimeve në Turqi me prejardhje nga blloku.

“Do të vijë edhe koha kur ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër, veçse të aplikojmë sanksione për të kundërvepruar përballë kësaj situate të padurueshme mbi të drejtat e njeriut”.

Erdogani dhe ministrat e kabinetit kanë thënë vazhdimisht se, është në dorën e Turqisë për të vendosur sesi do t’i përgjigjet përpjekjes për grusht shteti, për të cilën ata akuzojnë klerikun mysliman që jeton në ekzil të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, si orkestrues përmes rrjetit të tij të mbështetësve. Gulen, nga ana e tij, e ka dënuar përpjekjen për puç, ndërkohë që përjashton çdo përfshirje të tij në të.

Ndaj deklaratave të Asselborn ka reaguar ministri turk për çështjet e BE-së, Omer Celik, i cili e akuzon kryeministrin luksemburgas për mosnjohje të historisë, teksa thotë se veprimet e Ankarasë duhet të jenë të barabarta me përpjekjet “për mbrojtjen e demokracisë gjatë luftës kundër nazistëve”.

“Nazistët mund t’i konsiderojmë si amatorë nëse do t’i krahasonim me organizatat terroriste gyleniste. Jemi duke folur për një organizatë që ka masakruar njerëzit e vet me avionë luftarakë, tanke, luftanije dhe helikopterë. Askush nuk duhet ta mendojë se ne do të tërhiqemi në luftën tonë kundër tyre”.

Top Channel