Kalim i paligjshëm kufiri, nën hetim dy skafistët

07/11/2016 00:00

Policia kufitare e Durrësit ka vënë nën hetim dy personat që u bllokuan një ditë më parë në det të hapur teksa po lundronin nga Brindizi drejt Vlorës.

Adrian Jahaj, 51 vjeç me banim në Vlorë dhe një 32-vjeçar nga Brindizi i Italisë do të hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Jahaj, së bashku me shtetasin italian kanë qenë duke ardhur me një motoskaf me mbishkrimin “Pantera” nga Brindizi për në Shqipëri, kur në afërsi të Sazanit dhanë sinjalin SOS.

Anija ushtarake “Oriku” u dha ndihmën dhe në një det të trazuar arriti t’i sjellë në portin detar të Durrësit.

Specialistët e Hetimit në Drejtorinë e Policisë së Kufirit dhe Migracionit kanë kryer të gjitha veprimet e para proçeduriale nga të cilat ka rezultuar se ata e kanë kaluar kufirin pa kryer proçedurën përkatëse, duke shmangur njoftimin e autoriteteve.

Top Channel