Sheshi Skënderbej, Bashkia nis ndërtimin e parkimit të dytë nën tokë

07/11/2016 00:00

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se shumë shpejt Tiranës do t’i shtohet një parkim i ri nëntokësor, i cili bashkë me atë që po ndërtohet në fillim të Bulevardit të ri, do të rrisë kapacitetin e parkimit në qendër të qytetit.

“Sapo kemi nisur parkingun e dytë publik nëntokësor të Bashkisë së Tiranës. Parkingu i parë po ndërtohet në fillim të Bulevardit të Ri, i cili do të mbarojë në fillim të Vitit të Ri, kurse ky në Sheshin Skënderbej do të përfundojë në muajin Mars. Do të ketë 300 vende parkimi, një mënyrë ideale për ta lënë makinën për ata që i lidh puna me institucionet kryesore rreth sheshit. Kjo është mënyra se si projektojmë Tiranën moderne, ku hapësirat publike u kushtohen njerëzve, jo makinave”, tha Veliaj.

Veliaj kërkoi nga qytetarët që të mbajnë pastër qytetin, ndërsa i ftoi ata që në 13 Nëntor të bëhen pjesë e aksionit për pastrimin e përgjithshëm vullnetar të Tiranës. Më tej ai i paralajmëroi ata për reshjet e dendura të ditëve të ardhshme, për të shmangur sa më shumë lëvizjet. Ai tha se janë marrë të gjitha masat dhe 1800 punonjës të bashkisë janë në gatishmëri të plotë.

“E gjithë Bashkia e Tiranës është në gatishmëri. Kemi 1800 veta staf në terren, që po merren kryesisht me pastrimin e kanalizimeve. Duhet të kuptojmë që në ditë shirash kërkohet ndihmë nga të gjithë. Ky nuk është momenti për të vënë gishtin se kush e shkaktoi shiun, por për të bashkëpunuar dhe bashkëpunimi që pritet nga qytetarët është që në qoftë se kanë emergjenca dhe kjo është më e rëndësishmja, numri 112 është në dispozicion të Policisë, të Zjarrfikëses dhe të ambulancave. Në qoftë se kanë lëvizje të shkurtra, i ftojmë t’i reduktojnë këto lëvizje ose t’i bëjnë në këmbë sepse shtimi i trafikut na bllokon. E mbi të gjitha dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të mos ndotin”, tha Veliaj.

Top Channel