Britani, mes fëmijëve refugjatë edhe shumë shqiptarë

07/11/2016 00:00

Pikërisht pas zhurmës së javëve të fundit në median britanike, për fëmijët e sjellë nga kampi i ashtuquajtur i “Xhunglës” në Calais të Francës dhe debatit për moshën e tyre, duket se në fokus tashmë janë fëmijët shqiptarë të pashoqëruar që kërkojnë azil në Britani.

Sipas tabloidëve “The Mail on Sunday” dhe “The Sun” të Londrës, emigrantë shqiptarë që hyjnë në Angli duke pretenduar se janë fëmijë nën moshë përbëjnë rrezik të madh për shkollat dhe familjet kujdestare, sipas një raporti zyrtar që i referohen disa tabloide britanike.

Ndërkohë “Home Office”, Ministria e Brendshme dhe ajo e Emigracionit operojnë një program të fshehtë për verifikimin e moshës, për të përballuar këtë kërcënim në rritje.

Drejtorë shkollash janë detyruar të kundërshtojnë kërkesat për regjistrimin e disa syresh nëpër shkolla, për shkak të dyshimeve për moshën e tyre. Të rinj shqiptarë, ndërkohë, sipas këtij raporti të parë nga këto tabloide, janë larguar nga familjet angleze që kujdesen për to si fëmijë nën moshë, për shkak të ngacmimeve seksuale ndaj kujdestareve të seksit femër, shkruan shtypi britanik.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 500 fëmijë shqiptarë kanë mbërritur në Britani si fëmijë të pashoqëruar, ku sipas ligjeve shteti kujdeset për arsimin dhe kujdeset për ta deri në moshën 25-vjeçare. Por gjysmës së tyre iu refuzua kërkesa për azil.

Ndërkohë, zonja Luljeta Nuzi, drejtuese e shoqatës “Shpresa Programme” në Londër, një nga shoqatet më aktive të komunitetit shqiptar dhe që punojnë me të rinjtë e pashoqëruar që vijnë në Britani, për Top Channel thotë se “disa nga çështjet qëndrojnë, por fëmijët shqiptarë nuk mendoj se janë më problematikët nga komunitetet e tjera! Ata janë fëmijë që vijnë në një ambient me dallime të mëdha kulturore”, thotë ajo.

Sipas Luljeta Nuzit të “Shpresa Programme”, mes të rinjve ka një numër të madh syresh që janë bërë modele pozitive nëpër shkollat angleze dhe luajnë një rol aktiv në punën me autoritetet lokale.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel