Nëna e të arrestuarit për terrorizëm: Im bir nuk ushqen dot fëmijët

07/11/2016 00:00

Nëna e njërit prej të arrestuarve nën akuzat për terrorizëm në Shkodër tregon se i biri s’kishte para as për të bërë një pasaportë dhe jo më të shkonte në Siri për të mbështetur Shtetin Islamik.

30-vjeçari Ergys Faslia u arrestua ditën e shtunë nën akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare dhe rekrutimit të personave për të luftuar përkrah ISIS.

“Ai është vetë i katërt, ka gruan me dy fëmijë që mban me punën e tij si berber. Ai nuk mund të mbajë fëmijët e tij e jo më të financojë për terrorizëm. Atë e kanë ndihmuar babai dhe vjehrri për të paguar taksat e dyqanit”, thotë Jetmir Faslia.

Faslia, e cila jeton me djalin në një apartament, thotë se kurrë nuk ka dëgjuar që Shteti Islamik të përmendet në shtëpinë e saj.

“Njerëzve u ka ardhur tepër keq. Ai nuk ka pasur e nuk ka probleme me askënd, se shkon në xhami nuk mund të quhet terrorist. Djalin s’e kam dëgjuar asnjëherë të flasë si përkrahës të ISIS. Ai ka shkuar, është falur në disa xhami këtu afër dhe personin tjetër të arrestuar, Bekimin, e ka pasur shok xhamie”, thotë Faslia.

Ergys Faslia ishte mes personave që u arrestuan në Shqipëri dhe Kosovë pas një hetimi disamujor të policive të rajonit. Ata dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti të gjerë të shtrirë edhe në Maqedoni dhe ndihmonin në rekrutimin e të rinjve për t’u bashkuar me ushtrinë e ISIS.

Top Channel