La Liga, Barça triumfon 2-1 ndaj “viktimës” së preferuar

07/11/2016 00:00

Tre pikë tepër të rëndësishme nën firmën e të zakonshmit Messi, si dhe një performancë me dy fytyra që lë ende disa dyshime pas asaj humbjeje të së martës së kaluar në Champions.

Sevija bëri gjithçka për të trembur disi “blaugrana”-t me një lojë të mirë, por që u duk si të ishte një flluskë sapuni, pasi katalanasit kanë ditur si të reagojnë pas pjesës së parë për të dëshiruar, duke përmbysur rezultatin falë një goli të “pleshtit” dhe një asisti të tij për Suarezin. Për Messin, Sevija mbetet “viktima” e preferuar, duke i shënuar kështu golin e 27 në 17 ndeshje të luajtura ndaj andaluzianëve.

Sfida në “Sanchez Pizjuan” përfundoi me rezultatin 1-2 për katalanasit, të cilët vijojnë të ndjekin me dy pikë më pak Realin, pas 11 javësh në La Liga, ndërsa Sevija, një ekip me lojë të bukur por të pafatë, zbret kështu në vendin e pestë të renditjes.

Andaluzianët e nisën në sulm dhe me ide të qarta. Qarkullimi i shpejtë i topit dhe presioni në pjesën e sipërme të fushës, vunë në vështirësi Barçën, e cila duket disi e kapërcyeshme në prapavijë, për shkak të mungesave të Pique, Mathieu dhe Jordi Albës.

U deshën vetëm 15 minuta për ta, që të shënonin gol në portën e mbrojtur nga Ter Stegen, falë një kundërsulmi të ndërmarrë nga anësori i djathtë, Vitolo. Por katalanasit mundën të përmbysnin gjithçka në pjesën e dytë.

Top Channel