Indi, ndotja paralizon kryeqytetin New Delhi

07/11/2016 00:00

Shkollat në kryeqytetin indian New Delhi do të mbyllen gjatë 3 ditëve të para të javës, për shkak të smogut të dendur që ka arritur nivele kritike.

Veç mbylljes së shkollave, autoritetet kanë ndaluar punën në çdo kantier ndërtimi për 5 ditët e ardhshme, në mënyrë që të mbrohet publiku nga ndotja e ajrit.

Zyrtarë lokalë thanë gjithashtu se qeveria po konsideron alternimin e targave me numra tek dhe çift në ditë të caktuara, nëse situata nuk përmirësohet së shpejti.

Më shumë se 5.000 shkolla do të mbyllen në New Delhi dhe kjo masë pason një javë me nivele shumë të larta dhe të pazakonta smogu në qytet. Shumë njerëz fajësojnë për ndotjen e lartë fishekzjarret e shumta, që u përdorën gjatë festivalit shumë popullor “Diwali”.

Pamjet e transmetuara nga mediet pasqyrojnë mjaft qartë situatën në qytet, ku smogu i dendur pengon seriozisht edhe shikueshmërinë. Ndërsa banorët e qytetit fajësojnë fishekzjarret e festës për smogun, autoritetet mendojnë se fajtorët kryesorë janë fermerët në provincat e Punxhabit, Harianës dhe Utar Pradeshit, që në këtë kohë djegin arat e tyre për t’i bërë gati për mbjelljen e radhës.

Megjithatë, ekspertët thonë se ka shumë faktorë që ndikojnë në ndotje dhe, sipas tyre, trafiku tejet i rënduar, cilësia e karburantit dhe përdorimi i rëndë i karburanteve fosile janë mes atyre kryesore.

Top Channel