SHBA, Oklahoma lëkundet fuqishëm nga tërmetet “artificiale”

07/11/2016 00:00

Një tërmet me magnitudë 5 lëkundi fuqishëm zonat qendrore të Oklahomës në SHBA, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Epiqendra e tërmetit ishte në qytetin Cushing, por lëkundjet u ndienë deri në Teksas.

Autoritetet në Cushing thanë se shumë ndërtesa në qytet kanë pësuar dëme dhe vendosën që të mos hapin shkollat të hënën, pa u kontrolluar më parë siguria strukturore e tyre, por edhe shumë godinave të tjera.

Gjatë javës së fundit, në Oklahoma janë verifikuar 19 tërmete, por ndryshe nga zonat sizmike në botë, një pjesë e ekspertëve mendojnë se aktiviteti sizmik në këtë shtet amerikan ka lidhje me aktivitetin njerëzor.

Në vitin 2013, një grup shkencëtarësh thanë se tërmetet në Oklahoma janë shkaktuar nga depozitimi nëntokë i ujit të ndotur, që është rezultat i prodhimit të naftës dhe gazit. Duket se kjo teori nuk është aspak e pabazë, pasi Komisioni i Koorporatave të Oklahomës ka urdhëruar mbylljen e disa puseve, ku depozitohet uji i ndotur, gjithashtu edhe reduktimin e sasisë që do të derdhet në puse të tjera.

Në qytetit Cushing, ku goditi tërmeti, gjendet depozita më e madhe e naftës në botë dhe rrjedhimisht edhe depozitat nëntokë të ujit të ndotur janë kolosale.

Top Channel