Kthimet në kufi, amb.greke: Zbatojmë kushtet, s’ka “hakmarrje”

06/11/2016 00:00

Ambasada greke në Tiranë ka reaguar mbi kthimet e qytetarëve shqiptarë në pikat e kalimit kufitar gjatë ditëve të fundit. Me anë të një njoftimi për shpërndarë për mediat, ambasada  i cilëson si të pavërteta këto informacione.

Sipas ambasadës të gjitha vonesat apo edhe ndalimet e hyrjes që vihen re këto ditë, janë të zakonshme për çdo vit, pasi gjatë muajve Nëntor dhe Dhjetor, për shkak të mbledhjes së ullinjve, shtohet numri i shtetasve Shqiptarë që kërkojnë punë sezonale në Greqi, pa pasur vizë të posaçme për këtë qëllim dhe rrjedhimisht nuk plotësojnë kërkesat që parashikon Marrëveshja Shengen, të cilat Autoritetet Greke i respektojnë dhe i zbatojnë pa asnjë devijim .

“Shkrime të ndryshme që bëjnë fjalë për gjoja “hakmarrje greke”, janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen realitetit dhe kanë si qëllim që të krijojnë armiq imagjinarë. Ata 700 mijë emigrantë Shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Greqi dhe të integrohen natyrshëm në shoqërinë greke, përbëjnë një tregues të gjallë të bashkekzistencës harmonike midis dy popujve”, përfundon njoftimi i ambasadës greke.

Top Channel